12 nga 15 ekipe shqiptare të mundjes kanë kërkuar nga kryesia aktuale e federatës që të sqarojnë situatën e krijuar pas zgjedhjeve të reja.
Përfaqësuesit e klubeve kanë gjetur rastin të mbështesin edhe një herë organet e reja drejtuese si dhe të shprehin pakënaqësi për drejtuesit e mëparshëm.
Trajnerët e ekipeve si Kukësi, Vllaznia, Besa, Dinamo, Partizani, Tirana dhe Apolonia e të tjerë kërkojnë marrjen në zotërim të dokumentacionit të fondacionit të federatës për të marrë pjesë në aktivitetet kombëtare dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në garat ndërkombëtare.
Shqetësimi ka qenë edhe i sportistëve, të cilët janë stërvitur për një kohë të gjatë për të marrë pjesë në kampionate ndërkombëtare.
Në muajin Mars pritet kampionati evropian, por ata janë siguruar nga presidenti Zeneli dhe sekretari Hasa se do të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet sapo të disponohet dokumentacioni në federatën e mundjes.
Trajnerët e mundjes kanë gjetur rastin të shprehin shqetësimet e tyre në një mbledhje të thirrur nga federata për organizimin e një aktiviteti mbarëkombëtar me mundës të rinj nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, madje dhe nga Greqia./tvklan.al