Kokaina nuk është më e dëmshme se uiski!”, është kjo deklarata më e fundit e Presidentit të Kolumbisë Gustavo Petro. Në mënyrë krejt të beftë nga Pallati Presidencial, ai argumentoi se cilësimi i kokainës si substancë ilegale nuk ka të bëjë me rrezikun për shëndetin, por vetëm pasi ajo prodhohet në Amerikën Latine. Kjo deklaratë ka shkaktuar debat në Kolumbi e jo vetëm.

“Kokaina nuk është më e keqe se uiski. Shkencëtarët po e analizojnë këtë gjë”, tha ai, duke shtuar se perceptimi negativ mbi lëndën narkotike vjen prej interesave politike e ekonomike të shteteve.

Gustavo Petro, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Martën

Madje ai theksoi se legalizimi i kokainës mund t’i japë fund trafikimit të drogës.

“Ky biznes merr fund nëse kokaina bëhet e ligjshme në të gjithë botën. Do shitej si vera!”, nënvizoi Petro.

Kolumbia ka pasur një marrëveshje të gjatë me Shtetet e Bashkuara për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike. Megjithatë, Petro u “përplas” disa herë me ish-Presidentin Joe Biden për qëndrimet e tij, specifikisht ndaj kokainës. Sipas Petros, paratë e shpenzuara për të luftuar trafikun e kokainës mund të përdoren për politika parandalimi, sidomos tek fëmijët apo të rinjtë.

Ai kritikoi Amerikën se nuk ka bërë aq sa duhet lidhur me fentanilin, duke thënë se “ajo që po ndodh atje, s’ka shanse të ndodhë në Kolumbi”. (Fentanili është drogë sintetike që ka marrë dhjetëra mijëra jetë njerëzish në SHBA çdo vit)

Po ashtu dënoi vendimin e Trump për të aplikuar tarifa ndaj Meksikës, pikërisht për fentanilin.

“Fentanili u shfaq si drogë farmaceutike në shumë shtete të Amerikës, tani ua vënë fajin meksikanëve, por faji qëndron brenda kufijve të tyre”, tha Petro.

Kolumbia vijon të mbetet prodhuesi më i madh i kokainës në glob. Që prej vitit 2000, vendi ka marrë biliona dollarë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar bandat kriminale.

/tvklan.al