Juventus gjen sulmuesin e fazës së dytë të sezonit. Ashtu siç edhe pritej, torinezët kanë zyrtarizuar akordin me Kolo Muani, me francezin që vishet bardhezi në formulën e huazimit nga Paris Saint Germain.
Prezenca e 26-vjeçarit është tepër e rëndësishme për skuadrën e Thiago Motta, duke sjell cilësi dhe përvojë në repartin e avancuar.
Aftësia e tij do të jetë padyshim një aset për Juventusin, pasi Muani ka regjistruar shifra të frikshme deri më tani teksa do i kushtojë arkave të Juventusit 1 milionë Euro për huazimin dhe një shtesë prej 2.8 milionë Euro të tjera në bazën e performancës në fushën e lojës.
Deri më tani këtë sezon, Kolo Muani ka bërë 14 paraqitje për PSG-në, duke shënuar dy herë dhe duke asistuar një tjetër. Që nga bashkimi me Paris Saint-Germain në Shtator 2023, vetëm Bradley Barcola (64) dhe Ousmane Dembele (62) kanë luajtur më shumë ndeshje se Kolo Muani (54) mes sulmuesve të parisienëve, duke marrë parasysh të gjitha garat.
Me gjigantin francez ai bëri 54 paraqitje 23 prej të cilave si titullar, duke shënuar 11 gola dhe duke kontribuar me shtatë asistime në të gjitha garat.
Në sezonin e tij me Eintracht Frankfurt në sezonin 2022-2023 ai shënoi 15 gola, duke u bërë lojtari më i ri në 5 kampionatet kryesore të Europës atë sezon që arrinte këto shifra. Me gjermanët, ai shënoi 23 herë dhe asistoi 17 në 46 ndeshje, shifra që bindën PSG-në për të shpenzuar plot 95 milionë Euro për kartonin e tij.
Ritëm i lartë edhe me Kombëtaren, me futbollistin që ka shënuar 8 herë në 27 ndeshje me “Gjelat”.
Klan News