Thiago Motta u shfaq shumë i lumtur për fitoren minimale. Trajneri i Juventusit vlerësoi maksimalisht skuadrën e tij, për paraqitjen e treguar në derbin e Italisë.

Në prononcimin pas ndeshjes, tekniku bardhezi deklaroi se Interi ishte superior në pjesën e parë, por shtoi se ekipi i tij e meritoi fitoren.

“Mendoj se pjesa e parë ishte e vështirë dhe e komplikuar kundër një skuadre shumë të fortë, që luan shumë mirë futboll. Por ne e respektuam tepër kundërshtarin, i lamë shumë hapësirë për lojën. E dimë që është një skuadër që lëviz shumë dhe ka cilësi.

Fitoret sjellin besim dhe ndërgjegjësim për forcën që kemi. Është e qartë që për të arritur këto fitore duhet të bëjmë mirë dhe t’i meritojmë. Në pjesën e parë nuk e meritonim të fitonim, Interi ishte superior. Në ndeshjet jashtë fushe kemi bërë më mirë që nga minuta e parë.

Objektivi im është të përmirësoj skuadrën, të bëj punën time në maksimum çdo ditë. Më pëlqen ajo që bëj. Nuk e stërvit skuadrën dhe nuk e bëj këtë punë për t’i pëlqyer dikujt, e bëj për veten time, sepse e di që jemi në rrugën e duhur. Më pëlqen të shoh djemtë e mi duke vrapuar, duke u përpjekur dhe duke luajtur mirë futboll për të arritur gjithmonë fitoren. Ndonjëherë nuk kemi qenë në gjendje, por sonte kemi bërë një punë të shkëlqyer dhe e kemi merituar fitoren. Ky është objektivi im. Djemtë meritojnë mbështetjen e tifozëve, sepse çdo ditë japin maksimumin dhe japin gjithçka në fushë, gjithmonë për të mirën e skuadrës dhe të Juventusit”, deklaroi Motta.

Me fitoren ndaj Interit, Juventusi shkon në kuotën e 46 pikëve, në vendin e katërt. /tvklan.al