Performanca e mirë në Ligën e Kombeve, kulmuar me fitoren e Tbilisit është reflektuar në renditjen e FIFA-s. Kombëtarja shqiptare është ngjitur dy pozicione më lart falë fitores në transfertën e Gjeorgjisë. Nga vendi 67, tani kuqezinjtë renditet në vendin e 65.

Shqipëria triumfoi 1-0 në Tbilisi, çka i ka mjaftuar skuadrës së teknikut Sylvinho për të parakaluar në renditje gjeorgjianët por edhe Finlandën. Shqipëria do të rikthehet në fushë në muajin Nëntor për dy ndeshjet e fundit në grupin B1 të UEFA Nations League, ndaj Çekisë dhe Ukrainës. Të dy ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” dhe kombëtarja është në garë për vendin e parë në grupin B1.

Rritje me 3 pozicione ka pësuar Kosova. Fitorja ndaj Lituanisë dhe Qipros kanë ndihmuar kombëtaren Dardane për t’u ngjitur tashmë në vendin e 101 në Botë. Renditja botërore kryesohet nga Argjentina, ndjekur sërish nga Franca dhe Spanja. Në Top 10 vendet e para, rritje me një pozicion kanë bërë Portugalia dhe Italia në dëm të Holandës dhe Kolumbisë.

Klan News