Kombëtarja shqiptare është ngjitur dy pozicione në renditjen e FIFA-s për muajin Tetor. Nga vendi 67 tani Shqipëria renditet në vendin e 65, pas suksesit në ndeshjen e fundit në transfertë ndaj Gjeorgjisë, e vlefshme për UEFA Nations League.

Me golin e Kristjan Asllanit, kombëtarja fitoi 1-0 në stadiumin kombëtar të Tbilisit, “Mikheil Meskhi” duke parakaluar përfaqësuesen vendase në klasifikimin e kombëtareve, rivale në grupin e Ligës së Kombeve.

Edhe pse kuqezinjtë humbën sfidën me Çekinë, fitorja ndaj Gjeorgjisë mori vlerë për shkak të lojës së mirë dhe dominimit të një skuadre të fortë dhe energjike si Gjeorgjia.

Shqipëria do të rikthehet në fushë në mesin e muajit Nëntor për dy ndeshjet e fundit në grupin B1 të Nations League. Ndaj Çekisë do të luhet më 16 Nëntor ndërsa ndaj Ukrainës më 19 Nëntor. Të dy sfidat do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania” dhe do të transmetohen në Tv Klan.

Vlerësime të mira edhe për kombëtaren e Kosovës. Me 2 fitoret e muajit Tetor ndaj Lituanisë dhe Qipros dardanët fituan 3 shkallë në këtë renditje duke u pozicionuar në vendin e 101.

Në krye të klasifikimit qëndron Argjentina si kampione bote e ndjekur nga Franca si finaliste dhe Spanja si fituese e Europianit.

Tv Klan