Vetëm tre pikë ndajnë vendin e parë me të katërtin në grupin B1 të Ligës së Kombeve aty ku gjendet edhe Shqipëria. Llogari të hapura, për t’i shndërruar dy sfidat e fundit në finale të vërteta. Kombëtarja shqiptare numëron 1 pikë më pak se Çekia kryesuese, rival të cilin do ta sfidojmë mbrëmjen e sotme në “Air Albania”. Një fitore jo vetëm do të përkthehej në parakalimin e tyre në renditje, por edhe në një hap të madh drejt fitimit të grupit.
Marrja e të paktën 4 pikëve në dy ndeshjet e fundit, ndaj çekëve dhe Ukrainës do t’i lejonte skuadrës së Sylvinho për të ëndërruar vendin e parë. Gjithmonë, në rast se Gjeorgjia merr më pak ose 3 pikë në total ndaj rivalëve si Ukraina dhe Republika Çeke. Matematika do të ishte më e qartë në rast se kombëtarja jonë do të merrte pikë të plota në dy ndeshjet e ardhshme, pasi do ngjitej në kuotën e 12 pikëve.
Por, nëse Gjeorgjia bën të njëjtin rrugëtim, pra koleksionon dy fitore, aty do hynte në lojë golavarazhi, pasi ndeshjet direkt të kuqezinjve me ta janë me balancë totale, një fitore e një humbje me rezultatin total 1-1. Një humbje e mundshme me Çekinë do të na nxirrte jashtë objektivit për të fituar grupin, por në lojë për të qëndruar në Ligën B dhe pse jo për të shpresuar vendin e dytë që na kualifikon në çerekfinalet e kompeticionit dhe në play-off për t’u ngjitur një divizion më lart.
Klan News