Vetëm një fitore, ajo e fazës së parë në historinë e përballjeve me Ukrainën. Rivali i së martës nuk është ai i preferuari për kombëtaren kuqezi, pasi ndaj tyre ka një bilanc totalisht për t’u harruar. Në 7 sfidat e zhvilluara deri më tani, ukrainasit kanë triumfuar në 5 prej tyre, 1 barazim dhe 1 humbje.

Shifra që nuk ngrohin ambientin e kombëtares shqiptare, gjithsesi, motivimi duhet të gjendet tek ajo fitore me përmbysje, 1-2 e regjistruar në ndeshjen e parë të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

Shenjë e mirë mund të konsiderohet fakti që kuqezinjtë kanë gjetur rrjetën në të katër sfidat e fundit, përfshirë kualifikuesen e Kupës së Botës 2006 dhe dy miqësoret e humbura në fushat neutrale në Itali e Francë. Sfida e kësaj të marte është tepër vendimtare për fatin e skuadrave të gjendura në grupin B1.

Të katër ekipet janë në garë për t’i ndryshuar udhë verdikteve momentale, me Republikën Çeke që numëron 8 pikë, ndjekur nga Gjeorgjia e Shqipëria me 7, si dhe Ukraina me 5 pikë.

Klan News