Dhimbjet e kokës për trajnerin e kombëtares shqiptare të 21-vjeçarëve, Alban Bushi nuk kanë të ndalur. Mesfushori i Lokomotivës së Zagrebit, Feta Fetai do të jetë mungesa e madhe në dy takimet e programuar për në muajin qershor.
Talenti 19-vjeçar ka lënë grumbullimin për shkak të dëmtimit dhe e ka të pamundur për të qenë pjesë e skuadrës për ndeshjen kualifikuese të Europianit 2025 kundër Malit të Zi dhe për miqësoren ndaj Lihtenshtejnit. Sa i përket pjesës tjetër të ekipit, grupi është i plotë dhe po përgatitet nën urdhrat e trajnerit Alban Bushi.
Shqipëria U-21 do të luajë ndeshjen e shtyrë ndaj Malit të Zi U-21, e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2025” më datë 7 qershor në orën 20:00, në stadiumin e Podgoricës. Ndërsa miqësorja me Lihtenshtejnin do të luhet më datë 11 qershor në orën 19:00, në stadiumin “Niko Dovana”. Kuqezinjtë e vegjël janë në garë për një biletë drejt kualifikimit në kampionatin europian të vitit të ardhshëm. Skuadra e teknikut Bushi gjendet në vendin e katërt në grup me 10 pikë, katër më pak se Zvicra kryesuese, që ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.
Klan News