Olta Gixhari: Më pëlqen shumë përfundimi i filmit
Në programin “Rudina “, në Tv Klan këtë pasdite ishin të ftuar dy aktorë shumë të dashur për publikun. Ata janë pjesë e filmit “Love”, i cili prej muajit Dhjetor ka dalë në kinema, jo vetëm për publikun në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Bëhet fjalë për aktorin Genti Kame, i cili është protagonisti kryesor në filmin “Love”, si dhe aktoren Olta Gixhari.
Në filmin “Love”, trajtohen problemet në çift, vështirësitë në komunikim, nevojën për aventura, si dhe kurorën e të gjitha mëkateve, tradhtinë.
“Është një histori dashurie, por çdo dashuri ka pak dramë brenda. Ky fillm të lë shijen e një filmi të huaj pak a shumë, është një komedi romantike, e cila trajton një temë që pak herë është trajtuar, një temë dashurie, por jo me këto dramat alla Shekspir, apo alla Romeo dhe Zhuljeta. Janë ca drama tabu, ca drama të brendshme të gjithsecilit prej nesh, të një farë moshe, të një momenti që ti arrin në një konkluzion, ku ti s’di më ku je. Ku jam? Ku isha? Ku po shkoj? Çfarë është dashuria? Çfarë është gruaja? Çfarë është solide?“, tha aktori Kame.
Ai luan personazhin kryesor e quajtur Geri, i cili kthehet në Tiranë pas një kohe shumë të gjatë në Itali. I palumtur nga martesa prej 10 vjetësh, vendos të jetojë pa bashkëshorten e tij. Por një zë i vazhdueshëm e shoqëron në çdo periudhë të ditës, është Ela, gruaja e tij, që e ka lënë në Itali. Lidhja me një vajzë të re Elizën, një rol i luajtur nga Olta Gixhari, e bën Gerin që të pakësojë numrin e antidepresivëve që pi.
Por kjo zgjat deri në ditën kur Ela vjen, duke i prishur në këtë mënyrë balancat e tij dhe nëpërmjet kontrollit që arrin të vërë mbi të, e rrënon këtë marrëdhënie. Si gjithmonë, fundi është i njëjtë, kthehet sërish tek ajo, zëri që ia prishte qetësinë.
“Është film me tematikë shumë aktuale. Jam e bindur që të gjithë që e kanë parë filmin kanë gjetur një pjesë të vetes së tyre, ose një pjesë të ditëve të përditshmërisë së tyre. Për këtë arsye, filmi ka bërë zhurmë dhe mendoj se është ndjekur, pëlqyer sepse është një film totalisht ndryshe. Unë jam shumë e kënaqur që jam pjesë. Mua si Olta më pëlqen pa masë përfundimi i filmit. Po e shpjegoj me një fjali, që përfundimi i filmit është që gjërat shkojnë në vendin e duhur. Domethënë ndodh një trazicion shumë i madh, personazhet duan të shkojnë të bëjnë diçka ndryshe, të thyejnë disa tabu ose rregulla dhe në fund janë po aty ku ishin”, tha Gixhari./tvklan.al