Kamza është përjashtuar nga kampionati pas akteve të dhunës ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti duke zbritur dy kategori më poshtë. Komisoni i Disiplinës mori vendimin më të ashpër të dhënë ndonjëherë që e detyron këtë skuadër të luajë në Kategorinë e Dytë, prej sezonit të ardhshëm. Për dhunën ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti janë fajësuar presidenti Naim Qarri, i cili është pezulluar për 3 vjet nga të gjitha aktivitetet futbollistike dhe një gjobë 100 mijë Lekë.
Të njëjtin ndëshkim mori edhe drejtori sportiv Andi Matarxhiu, ndërsa shefi i klubit Albert Bana është pezulluar për 1 vit e gjysmë. Klubi nuk i ka shpëtuar as gjobës prej 1 milionë Lekësh. Pas akteve të dhunës ndaj arbitrit, të tre këta persona u arrestuan nga policia. Ndërkohë që mesditën e së mërkurës, gjykata vendosi të lërë të lirë presidentin dhe dy zyrtarët e tjerë të klubit duke vendosur për ta masën detyrim paraqitje.
Dhuna ndaj Eldorian Hamiti ndodhi në përfundim të takimit Kamza – Laçi. Disa tifozë dhe zyrtarë zbritën në fushë të revoltuar për penalltinë e dhënë në minutat shtesë që vendosi edhe barazimin 1 – 1. Stjuartët nuk e ndalën dot dhunën që u shua vetëm pas ndërhyrjes së policisë. Pas kësaj ngjarje, Federata Shqiptare e Futbollit kërkoi rikthimin e forcave të policisë në ambientet e brendshme të stadiumeve, duke kërcënuar edhe me ndërprerje të kampionatit nëse kjo kërkesë nuk merret parasysh.
Tv Klan