“Lulzim Visha sapo kishte lënë banesën e tij kur persona ende të paidentifikuar e qëlluan atë me armë zjarri. Viktima 48-vjeç u gjet i vrarë në makinën e punës, nga një banor i zonës”, raporton gazetari i Tv Klan Merin Maçi.

Policia e Tiranës u njoftua për ngjarjen rreth orës 7.40 të mëngjesit dhe menjëherë shkoi në rrugën Shën Stefani në Zall Mner të Kamzës.

Viktima u gjet pa shenja jete në automjetin në pronësi të një poste private, ku ai punonte. Siç mund të shihet dhe nga pamjet, makina e tij është bërë shoshë nga plumbat.

Për vrasjen e kryer, autorët dyshohet se kanë përdorur armë me silenciator, ndërsa si automjet, një fuoristradë tip “Porsche” ngjyrë gri, e cila u gjet e djegur pak orë më vonë në Zall Herr.

Viktima rezulton person i skeduar në të shkuarën nga policia për armëmbajtje paleje, ndërsa vëllai i tij rezulton i dënuar me 12 vite burg në 2001, për një vrasje të vitit 1997 po në Kamëz.

Mbi bazën e këtyre të dhënave policia po kryen hetime, ndonëse deri tani nuk ka asnjë indicie që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e të shkuarës së viktimës apo familjarëve të tij.

Për zbardhjen e ngjarjes hetuesit kanë kryer kontrolle të shumta në zonë, teksa janë marrë në pyete familjarë të Lulzim Vishës.

Ekzekutimi i 48-vjeçarit, e çon në 6 numrin e vrasjeve të regjistruara në 3 javët e para të vitit 2025, disa prej te cilave atentate të tipit mafioz, duke shënuar një bilanc të rëndë për policinë.  Nga këto 6 vrasje, vetëm 2 prej tyre janë zbardhur.

Tv Klan