Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka zbuluar vendimet e marra, në lidhje me ngjarjet e ndodhura në javën e fundit të futbollit shqiptar.
Bien në sy pezullimet te Laçi, pas polemikave për arbitrimin në humbjen minimale ndaj Egnatias. Sulmuesi Cordeiro Melo është dënuar me katër ndeshje pezullim, për sjellje josportive ndaj arbitrave.
Më i rëndë ka qenë dënimi për presidentin e klubit, Pashk Laska, i cili për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, është pezulluar me 15 ndeshje.
Për të njëjtën akuzë, është pezulluar me 15 ndeshje edhe zyrtari i Besës, Romeo Bishdili në Kategorinë e Parë.
Nuk mungojnë gjobat, ku e pësojnë Elbasani dhe Bylis, për sjelljen e gabuar të tifozëve.
VENDIMET E DISIPLINËS:
- AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
- FK Bylis, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
- Lojtari i KF Laçi, Cordeiro Melo William, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Zyrtari i KF Laçi, Pashk Laska, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
- Zyrtari i FC Besa, Romeo Bishdili, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
- KF Shkumbini U-19, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të kampionatit Kategoria e Dytë U-19, Zona Rajonale Tiranë, kundër Kamza Sport U-19, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.
/tvklan.al