Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Në kuadër të ditës ndërkombëtare të grave 8 Marsit, zyra e PNUD-it në Tiranë dhe koordinatorja e OKB-së për Shqipërinë zonja Ana Kristin Stajnerklind dhe TOB, kanë organizuar një mbrëmje gala në hollin e këtij teatri, me pjesëmarrjen speciale të artisteve më të mira të artit vokal dhe instrumental.
Ky koncert ka përmbajtur repertorë të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj, si Puccini, Mozart, Verdi, Shtraus, Harapi, Marko, Jakova, Dizdari etj. Ato janë interpretuar nga solistet lirike Marjana Leka, Vikena Kamenica, Irini Nikolla, Izolta Yzeiri, Sonila Baboçi etj.
Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit lidhur me projektin mes Teatrit të Operës dhe Baletit dhe PNUD, mbështetje për objektivat e mijëvjeçarit nëpërmjet kulturës. Të ftuara në këtë mbrëmje kanë qenë gratë artiste, që kanë debutuar në fushën e artit, si dhe mjaft personalitete të ndryshme nga jeta kulturore dhe politike e Shqipërisë./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora