59 persona humbën jetën dhe 155 të tjerë u lënduan. Ky është bilanci i ngjarjes së rëndë që ndodhi të dielën në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan Macedonia Xhumadije Ibrahimi në emisionin “Rudina” në Tv Klan, në mesin e viktimave janë dhe 5 anëtarë të grupit muzikor “DNK”.

“Ka humbur jetën këngëtari Andrea dhe bandi që performonte atë natë në atë grup, kitaristi e fotografi. Fatkeqësisht lajmi për ta u dha dje para mbrëmjes”, tha gazetarja.

Një diskotekë në Koçan u përfshi nga flakët për shkak të lëndëve piroteknike që u përdorën gjatë festimeve. Ndërtimi dhe kushtet e papërshtatshme bëri që kjo mbrëmje feste të kthehej në një tragjedi kombëtare, ku ditën e djeshme Maqedonia e Veriut shpalli 7 ditë zie për ngjarjen e rëndë.

Edhe Mali i Zi e shpalli këtë të hënë një ditë zie për tragjedinë që përfshiu zemrat e popullit fqinj. Ndërkaq autoritetet vazhdojnë që të bëjnë inspektimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku po hetohen 20 persona si përgjegjës për zjarrin që përfshiu ndërtesën.

Për ngjarjen, populli bën me faj qeverinë, ku ditën e sotme janë zhvilluar protesta masive dhe të dhunshme./tvklan.al