Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Një konflikt mes një grupi studentësh të Fakultetit të Filozofisë dhe ish-pedagoges së tyre po nxjerr në pah një konflikt të vjetër mes vetë pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Në një konferencë për shtyp, studentët që e kanë akuzuar për mitmarrje ish-pedagogen e Filozofisë Mirela Sinani, kanë deklaruar se kanë prova të reja kundër saj. Sinani aktualisht i ka paditur studentët për shpifje de kërkon prej tyre dëmshpërblimin prej 1 milion lekësh.
Studentja: “Zonja Sinani nuk ka qenë pedagoge e lëndës në këtë fakultet dhe ajo ka abuzuar me qenien e bashkëshortit të saj, si zëvendës dekan në fakultet dhe ka shkelur ligjet dhe rregulloren e universitetit, ka dhënë lëndë të pa miratuar për të. Në provimin e dhënë në Shkurt, nuk ishin pak, por 21 studentë e më tepër, që ishin të pakënaqur nga rezultatet e marra, për këtë arsye ne kërkuam mospjesëmarrjen e saj në provimin e vjeshtës dhe asnjë arsye tjetër, nga ato që përmend zonja nëpër prononcime”.
Përkrah studentëve qe dhe avokati që i përfaqëson në procesin gjyqësor, ndërsa ka treguar se ka prova bindëse sipas tij kundër zonjës Sinani, avokati tha, se nëse ajo nuk tërheq padinë, studentët do të depozitojnë kallëzim penal për mitmarrje ndaj saj.
Avokati: “Zonja Sinani është një qytetare e thjeshtë e republikës së Shqipërisë dhe padia e saj në gjykatë nuk legjitimohet, sepse ajo asnjëherë nuk ka qenë pedagoge në këtë fakultet, por ka ushtruar detyrën e pedagoges në mënyrë të jashtëligjshme dhe për këtë duhet të paraqitet përpara organit të prokurorisë”.
Këtyre akuzave u është përgjigjur bashkëshorti i ish-pedagoges, Gjergji Sinani. Ai është shkarkuar në tetor të vitit të kaluar nga posti i zv/dekanit në të njëjtin fakultet. Profesor Sinani hedh poshtë akuzat e studentëve ndaj bashkëshortes dhe shprehet se kjo e fundit nuk do të tërhiqet nga procesi gjyqësor, ashtu sikurse është i gatshëm që prokuroria të nisë procedim penal ndaj saj, i bindur se ajo është e pafajshme.
Gjergji Sinani: “Zv/dekani aktual që ka shkruar, dërguar dhe një shkresë që e kam parë në ca media, ka firmosur procesverbalin bashkë me bashkëshorten time dhe për këtë është një departament përgjegjës për këtë punë dhe nuk janë ashtu gjërat pra pyesim dhe persona të tjerë, pra ajo nuk qëndron fare. Unë jam kundër fenomenit të mitmarrjes dhe kërkojë që ky fenomen të ndëshkohet, por nuk është personi i goditur, mund të venë në prokurori”.
Gazetarja: Jeni dakord në qoftë se prokuroria nis një procedim penal për gruan tuaj?
Gjergji Sinani: “Po le ta nisi, le ta nisë”./tvklan.al