Nëna e dy fëmijëve rrëfeu ditën e sotme në programin “Historia ime”, në Tv Klan konfliktin e vazhdueshëm me familjen e bashkëshortit të ndjerë.
Elsa Tasha për 14 vite ka jetuar në Dibër me bashkëshortin dhe familjen e tij, por konfliktet me kunatin dhe vjehrrën i detyruan të largohen në Durrës.
Ata u zhvendosën aty një muaj para se burri i saj të ndërronte jetë, në moshën 37-vjeçare. Një goditje e rëndë, por ajo u përpoq të behej e fortë dhe të ecte përpara për fëmijët e saj.
Më tej, Elsa tregoi se vjehrri i la me testament bashkëshortit të saj, shtëpinë në Dibër dhe disa prona. Por kur djali i saj shkon aty pas disa vitesh, vjehrra dhe kunati i thonë se ata kanë ikur në Durrës dhe nuk kanë më pjesë aty.
Elsa tregon se kur ajo shkoi me djalin në vitin 2015, në shtëpinë në Dibër, vjehrra e pret me thikë në dorë dhe e kërcënoi. Madje shton se ajo ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj edhe në komisariat, kur ka shkuar për ta denoncuar.
Elsa Tasha: Fatkeqësisht humbi jetën shumë shpejt, vdiq tek spitali infektiv këtu në Tiranë, për 4 ditë ndërroi jetë. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo që për mua ishte një gjëmë e madhe, të ndahet nga jeta bashkëshorti, unë isha 30 vjeç, bashkëshorti 37 vjeç. Më la fëmijët të vegjël, e pastrehë që isha në Durrës me qera, si mund të përballoja jetën. Vjehrrin e kisha me vete në Durrës, vjehrra nuk më erdhi, gjatë kësaj kohe unë punoja që të rrisja fëmijët, mundohesha t’iu jepja gjërat më minimale të jetesës, për të mbijetuar, se nuk është jetesë. Në vitin 2015 kishin kaluar 5 vite nga ndarja e bashkëshortit, kthehet djali tek prona.
Mirela Milori: Sa vjeç ishte djali?
Elsa Tasha: Djali ishte për 18 vjeç, nuk i kishte mbushur akoma 18 vjeç. Shkon atje dhe i del vjehrra bashkë me kunatin, xhaxhai i djalit dhe i thotë ju keni ikur në Durrës dhe nuk keni më prona këtu, nuk duhet të ktheheni më këtu. Vjen djali nga Dibra dhe më thotë: Mami mua nuk më lejon as xhaxhai dhe as nëna që të futem tek shtëpia. Po pse? Keni ikur në Durrës dhe nuk keni më pjesë këtu fare. Në rregull, kalojnë dhe 3 vite, se unë nuk kisha as mundësi financiare që të shkoja, por edhe koha se isha në punë, nuk më jepnin leje, nuk mund të lëvizja. Në Shkurt të vitit 2018, vajta unë bashkë me djalin në shtëpi dhe del vjehrra me thikë. Direkt më pret me thikë në dorë: Mos guxo thotë të futesh, se ta ngul thikën në bark. Të mos ishte djali që të më tërhiqte, unë sot nuk do jetoja. Ishte djali që më ndihmoi, që të më shmangte nga vjehrra. Kunati bëri sikur po më largonte nga vjehrra, më kapi për flokësh më tërhoqi zvarrë. Kam vajtur në komisariat të Bulqizës, në komisariat jam dhunuar fizikisht, brenda në komisariat, në prezencë të oficerit të policisë gjyqësore, Edmond Noka. Po më mbante kallëzimin dhe më dhunoi vjehrra sërish. (qan). Më falni. Më dhunoi vjehrra, ai kallëzim që unë bëra, nuk ka vajtur në prokurori, nuk është dorëzuar. Vajta sërish mbas dy javësh, sërish tek prona, duke qenë se këtu e kam jetesën të vështirë dhe nuk e arrij do të përballoj qeranë. Atje sërish u dhunova.
Mirela Milori: U dhunove prapë nga…?
Elsa Tasha: Nga vjehrra dhe kunati, kisha dhe vajzën me vete.
Mirela Milori: Vajte prapë në polici?
Elsa Tasha: Vajta sërish në polici, bëmë denoncim, kishte vajtur ai denoncimi dhe mbas ca kohësh më kthehet përgjigje nga Prokuroria, që nuk përbën vepër penale.
Mirela Milori: Po mirë ishte shkruajtur në raportin e policisë që është ushtruar dhunë ndaj jush, në ambientin e komisariatit?
Elsa Tasha: Jo, nuk e kishte shkruajtur oficeri i policisë gjyqësore.
Mirela Milori: Ke patur dëshmitarë të tjerë përveç oficerit dhe vjehrrës, në momentin e ushtrimit të dhunës?
Elsa Tasha: Ka qenë djali im, djali i kunatit dhe kunati kanë qenë brenda në komisariat, në zyrën e oficerit të policisë gjyqësore, ku unë jam dhunuar fizikisht.
Mirela Milori: Çfarë ndodhi kur ajo të dhunoi, ndërhyri dikush për ta ndarë?
Elsa Tasha: Vetëm i bërtiti oficeri vjehrrës: Këtu mos e prek i tha, se është në polici. Kaq i tha. Por që ta deklarojë si fakt, jo. Ky është shumë i rëndë si fakt, por nuk është deklaruar./tvklan.al