Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur fjalimin e tij në seancën plenare që mbahet në Prishtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Konjufca e nisi fjalën e tij me rëndësinë e unitetit mes dy vendeve përballë sfidave politike dhe atyre gjeopolitike duke sjellë vëmendjen ndaj agresionit rus në Ukrainë.

“Jemi mbledhur në këtë seancë të përbashkët të Kuvendeve tona të Kosovës dhe Shqipërisë në fund të këtij viti, për ta dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike dhe atyre gjeopolitike të sigurisë që shoqërojnë rajonin dhe kontinentin tonë edhe bëhen tri vite nga agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse mbi Ukrainën dhe mbi popullin e saj”, tha ai.

Më tej kreu i Kuvendit, vuri në dukje ndikimet e këtij agresioni si dhe për aktin terrorist që ndodhi pak ditë më parë në kanalin e ujësjellësit të Ibër Lepencit.

“Ne si rajon, si Kosovë i kemi ndjerë ndikimet e tërthorta dhe të drejtpërdrejta të këtij agresioni. Republika e Kosovës po e mbyll dhe këtë vit e sulmuar drejtpërdrejtë nga elementët që lidhen me Serbinë dhe që po e synojnë destabilizimin e brendshëm të Kosovës me metoda terroriste si dhe ato të luftës hibride. Sulmi që u bë para pak ditësh ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër Lepencit nuk mund të konsiderohet ndryshe përveçse si sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si një realitet sovran dhe si një rend ligjor dhe demokratik i cili nuk ka asnjë alternativë në tërë territorin e Republikës sonë”, tha Konjufca.

Konjufca nuk la pa përmendur dhe sulmin në Banjskë duke kritikuar drejtësinë në Serbi, për organizatorin dhe mbështetësin e këtij agresioni, i cili mbetet edhe sot e kësaj dite i pandëshkuar nga autoritetet serbe.

“Mos të harrojmë se ky sulm i rëndë ndaj infrastrukturës tonë kritike të furnizimit me ujë dhe energji vjen një vit pas sulmit tjetër të rëndë që e përjetoi republika jonë, sulmi në Banjskë. Organizatori dhe mbështetësi i këtij sulmi është Radojçiç dhe i mbështetur drejtpërdrejtë nga presidenti Vuçiç, nga i cili mbetet ende i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi, e cila pothuajse nuk ekziston fare.”

Konjufca theksoi vlerën që mbart ky bashkim mes dy shteteve në këtë Kuvend, duke e parë si dëshmi që Shqipëria dhe Kosova qëndrojnë pranë njëra-tjetrës.

“Ky përbashkim i yni sot, në këtë seancë të dy Kuvendeve tona, përbën më shumë simbolikën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona. Kjo seancë duhet të shihet si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën, në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë, përveçse interesin kombëtar të kombit, i cili për ne është i përbashkët”.

Në fund, Konjufca përsëriti qëndrimin e Kosovës, sa i përket normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, duke treguar dhe mënyrën se si mund të realizohet.

“Nuk mund të ketë normalizim mes dy vende pa patur njohje recriproke si dy subjekte sovrane që nuk e kontestojnë njëra tjetrën. Ne themi vetëm kjo është zgjidhja për relacionin mes Kosovës dhe Serbisë dhe ne jemi shumë të bindur që kjo do të ndodhë sepse kemi krah Republikën e Shqipërisë”, tha ai./tvklan.al