Konkurrenca mes plazheve shqiptare dhe ato italiane ka filluar të ndihet. Media e njohur Italiane Corriere della Sera, nisur nga flukset e turistëve italianë në vendin tonë, ka shkruar një artikull duke marr si shembull plazhet e Milano Marittima, pranë provincës së Ravenës në Itali të cilët kanë filluar të ulin çmimet.
Për shkak se turistët italianë prej disa vitesh e kanë bërë Shqipërinë zgjedhjen e tyre të parë për të kaluar pushimet, Corriere della Sera shkruan se në fund të korrikut dhe në këtë fillim gushti, për të qëndruar në plazhet me rërë te Milano Marittima, një shezlong kushton vetëm 10 Euro.
Ky fshat sipas medias italiane që u ndërtua në vitet 1900 nga milanezët e vjetër dhe ishte shumë i frekuentuar nga shtresa e mesme, është braktisur vitet e fundit për shkak edhe të largësisë nga Milano, e cila kërkon rreth 3 orë e gjysmë për të mbërritur, ndërsa transporti kryhet me mjete me teknologji të vjetëruar.
Po ashtu edhe hotelet dhe restorantet e vjetër kanë ruajtuar linjën e trashëgimisë së tyre pa bërë transformime thelbësore dhe që trashëgohen brez pas brezi. Media italiane thotë se në Ballkan mund të gjesh ndërtesat e reja dhe moderne që po josh turistët, si në Kroaci dhe më së shumti në Shqipëri.
Vendi ynë sipas Corrierre della Sera është kthyer edhe një vend ku italianët po investojnë në apartamente që ta përdorin Shqipërinë si një vend pushimi në çdo stinë. Ndërkohë ndryshe ndodh në bregdetin Italian ku më së shumti ambientet për shtëpi të dytë apo pushimi merren vetëm me qira.
Klan News