Teologu i njohur, Miron Çako ishte i ftuar në “Aldo Morning Show” në Tv Klan për të folur rreth magjisë dhe okultizmit. Për shumë njerëz magjia nuk ekziston, ndërsa të tjerë, siç ndodhi gjatë programit, janë takuar me “anën e errët” të energjisë në mënyra të pashpjegueshme.
Teologu thotë se magjia e ka zanafillën që në lashtësi. Sipas Çakos, ajo ekziston dhe shfaqet në formën e demonëve të padukshëm të cilët thirren nga njerëz që kërkojnë shërbimin e tyre dhe lidhin shpirtin me ta.
Miron Çako: Magjia është një kontratë që bëhet me një fuqi okulte. Kur themi fuqi okulte, themi fuqi demoniake që janë engjëj të rënë, të cilët janë në eter, janë rreth nesh, mund të jenë edhe këtu prezent.
Aldo: Për një ateist quhet energji e eqe?
Miron Çako: Po,energji e keqe por edhe kjo energji nuk është diçka abstrakte. Energjia buron nga një qenie ose energji pozitive që buron nga Zoti, ose energji negative që buron nga demonët. Magjistarët me dashje, pa dashje, i ditur, i paditur, injorant, i shkolluar sepse ka edhe magjistarë të shkolluar sot, ka universitete për magjinë, pra nuk është aq i thjeshtë problemi, ata bëjnë një kontratë me djallin dhe në këtë kontratë bëjnë kërkesa të ndryshme, të vetes së tyre ose të klientëve të tyre dhe magjia vepron në të gjitha fushat: psikologjike, fizike, shoqërore.
Aldo: Pra fjalia është, që të mos hallakatemi nëpër rreshta: magjia ekziston?
Miron Çako: Patjetër ekziston, ekziston që nga lashtësia.
Teologu thotë se ka 4 kategori magjish që veprojnë. Një magji mund të dallohet kur dikush që mund të jetë shumë mirë në çdo aspekt, nis të ndiejë shqetësime të pashpjegueshme për të cilat nuk gjendet zgjidhje.
Miron Çako: Magjia ndahen në 4 kategori: magjia që bëhet me elementë, magjia që bëhet me kontakt, magjia që është hipnoza dhe magjia që është edhe falli. Janë këto 4 kategori magjish që fatkeqësisht veprojnë. Ne mund të gjejmë mbeturinat e një marrëveshjeje me djallin, por marrëveshja është bërë. Djalli ka marrë kërkesën për të hyrë te X persona, objekt dhe fillon punën e vet. Ndodh një çudi, për shembull njerëzit që e kanë këtë problem, janë shumë mirë në jetën e tyre, papritur ndodh një ndryshim në psiqikën e tyre, në shëndetin e tyre, në marrëdhëniet e tyre shoqërore që nuk ia gjen zgjidhjen./tvklan.al