Balluku: Mbi 650 struktura akomoduese, objekt i këtyre kontrolleve për të garantuar sigurinë për sezonin turistik

Inspektoriati shtetëror Teknik e industrial ka nisur kontrollet për verifikimin e plotësimit të detyrimeve teknike për pajisjet e gazit dhe ato elektrike. Aksionin që po zhvillohet në Vlorë në prag të nisjes së sezonit turistik, e ndoqi nga afër edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e cila tha se këto inspektime janë në kuadër të kritereve të sigurisë që duhet të kenë të gjitha strukturat akomoduese në vendin tonë.

Belinda Balluku: Ky është një kontroll në të mirën e punës së tyre. Ky është një kontroll që padyshim do kërkohet nga agjencitë e mëdha të turizmit botëror, të cilat tashmë janë ato që lidhen direkt me hotelet në shumicës e rasteve. Bëhet fjalë për kushtet e sigurisë që vijnë nga pajisjet nën presion, pra për të gjithë përdoruesit e atyre hoteleve që përdorin gazin, por që pothuajse të gjithë e kanë këtë shërbim. Gjithashtu ne kemi në këto momente në fokus tonë inspektimin e lidhjeve elektrike në të gjitha ndërtesat e hotelerisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se mbi 650 struktura akomoduese, nga Shkodra deri në Ksamil do të jenë objekt i këtyre kontrolleve dhe se i gjithë procesi, në bashkëpunime dhe me pushtetin vendor, do të finalizohet para nisjes së sezonit turistik.

Belinda Balluku: Jemi duke shpejtuar pasi nuk duam t’ju shqetësojmë gjatë sezonit, kështu që grupet e ISHTI-it në bashkëpunim dhe me mbështetjen e bashkive të zonave bregdetare, por dhe atyre malore, pasi kryesisht e kemi vëmendjen tek ato zona të cilat do të jenë pritëse të këtij sezoni fantastik turistik me më shumë se 14 milionë vizitorë, do të jenë në terren dhe do të mundohen që të jenë sa më të shpejt, pa shqetësuar klientët, pasi është një proces që duhet ta kryejmë para 1 majit.

Kryetari i Bashkisë sëVlorës, Ermal Dredha shprehu mbështetjen për këtë aksion, si një element i rëndësishëm për sigurinë e vizitorëve.

Klan News