Shpërthimi i një bombole gazi në një pallat në lagjen 14 të qytetit të Korçës i ka kushtuar jetën një 80-vjeçari i cili jetonte prej kohësh i vetëm në banesën e tij. Pallati 3-katësh ku banonte i paralizuar i moshuari Thedhoraq Trasha është përfshirë nga flakët pas shpërthimit të fuqishëm të provokuar nga rrjedhja e gazit të një bombole në banesë e një efektivi të policisë së Korçës.

Ngjarja ka ndodhur në momentin kur bashkëshortja e policit ishte duke gatuar në banesën e saj në katin e 3. Fatmirësisht personat e ndodhur aty për momentin nuk janë lënduar, ndërkohë që nga përhapja e zjarrit në godinë i moshuari Theodhoraq Trasha është asfiksuar dhe është dërguar menjëherë  në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Në spital, por jashtë rrezikut për jetën ndodhet 57-vjeçarja Myzejen Haxhiu, banesa e së cilës ishte ngjitur me apartamentin ku shpërtheu bombola. Ndërkaq forcat e zjarrfikëses dhe policia kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrin pas rreth 2 orë e 30 minuta nga momenti i shpërthimit.

Nga flakët është shkrumbuar krejtësisht kati i 3 i pallatit, ndërkohë që sipas policisë përhapja e zjarrit mund të jetë shkaktuar nga një reaksion zinxhir i shpërthimit edhe të ndonjë bombole tjetër./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi