Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që deri më 22 Mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të Dinarit serb në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi paralajmëroi një takim tjetër javën e ardhshme për të parë nëse propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm që, siç tha, “do të ishte i pranueshëm për Kosovën”. Takimi sipas Bislimit, iu kushtua më së shumti Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit.

Besnik Bislimi: Ne në vazhdimësi duam të dëgjojmë edhe nga pala serbe se a kemi marrëveshje dhe a jemi të përkushtuar ta zbatojmë. Na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën.

E kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se në takim ka përmendur të gjitha çështjet që sipas tij janë pengesë për serbët e Kosovës.

Petar Petkoviç: Kemi diskutuar për incidentet e shumta, mbylljen e institucioneve serbe, klinikën serbe në Prishtinë, sjelljen e policisë ndaj serbëve, pozitën shumë të rëndë të serbëve dhe dekretin për dinarin, i cili prek edhe serbët që marrin përfitime sociale si dhe institucionet tona”.

Sipas tij, gjëja e parë për të cilën ata insistuan ishte formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, “si çështja e parë dhe kryesore që lidhet me fatin dhe të ardhmen e popullit serb”, dhe çështja e dytë është ajo e Dinarit.

Sipas tij, Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës është e vështirë për serbët e Kosovës. Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Tv Klan