Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi u përcoll për në banesën e fundit me nderime shtetërore.

Veç pranisë së politikanëve nga tre shtete, në ceremoninë e lamtumirës ra në sy mungesa e përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të njohura janë përplasjet e ish-liderit dhe themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugova me Demaçin.

“Rugova i iku luftës”

këto janë fjalët që me gjasë nuk janë harruar nga përfaqësuesit e LDK-së në Kosovë, të cilët bojkotuan në bllok ceremoninë.

Të kontaktuar nga mediat kosovare, deputetët e LDK-së nuk pranuan të shpreheshin për mungesën në përshëndetjen e fundit me Adem Demaçin.

Gjithsesi gjatë ceremonisë, për Demaçin u dhanë vlerësimet më të larta.

“Parimi themelor i filozofisë së tij politike, mbështetej tek ideja që hapi i parë i lirisë dhe çlirimit duhet të merret nga vetvetja. Prandaj Adem Demaçi ishin ngjarjet dhe kthesa politike e Kosovës në 1968, 1981, 1989”,

u shpreh Presidenti Hashim Thaçi

.

“I lehtë të qoftë dheu i Kosovës që aq shumë e deshe dhe që gjithçka ia fale me besnikëri dhe fisnikëri. Lamtumirë bac Adem Demaçi, heroi ynë i përjetshëm i përpjekjeve për liri”,

tha Presidenti Ilir Meta

.

Në emër të familjes u thërrit të marrë fjalën i biri i Adem Demaçit, Shqiptari, por ky i fundit ftoi motrën e tij, Abetaren, e cila rrëfeu porosinë e fundit që i kishte lënë i ati.

“Ai tha më e rëndësishmja në jetë është të njohësh vetveten. Unë shumë mirë e kuptova thellësinë e mesazhin. Po ta kuptonin shqiptarët vetveten do e kuptonin se çdo e keqe vjen nga vetvetja”.

Tv Klan