Ruben Amorim mund t’i kushtojë Manchester United 480 milionë Euro, që skuadra të përshtatet plotësisht me filozofinë e tij të lojës.

Trajneri portugez ka pasur një fillim të vështirë me “Djajtë e Kuq”. Ekipi aktualisht është në vendin e 14-të në tabelën e Premier League me pesë fitore, tre barazime dhe tetë humbje që kur ai mori drejtimin, pas shkarkimit të Erik ten Hag në Tetor.

Me 11 ndeshje të mbetura për të luajtur në kampionat, problemet e United vazhdojnë në kompeticionet vendase. Ekipi u eliminua nga League Cup nga Tottenham Hotspur në Dhjetor, si edhe nga FA Cup nga Fulham.

Europa League tani është shansi i vetëm për trofe në këtë sezon, së bashku me objektivin për të siguruar një kompeticon europian për sezonin e ardhshëm.

Sipas një raporti nga The Sunday Times, aksionerët e klubit do të duhet që të investojnë rreth 480 milionë Euro për të afruar futbollistë në mënyrë që Amorim të aplikojë modulin e tij 3-4-3 në mënyrën e duhur. Portugezi do të duhet t’u japë mundësi edhe të rinjve, në këtë situatë të komplikuar.

United ka shpenzuar rreth 1.9 miliardë Euro në përpjekje për të rikthyer ekipin drejt sukseseve që nga largimi i Alex Ferguson në vitin 2013, por është e qartë se nevojiten investime të mëtejshme nëse synohet që Amorim të shmangë dështimet e David Moyes, Louis van Gaal, Jose Mourinho, Ole Gunnar Solskjaer, Ralf Rangnick dhe Ten Hag.

Klan News