Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka një sugjerim për teknikun e Anglisë, Tomas Tuchel, përpara dy sfidave në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Më 21 mars, “Tre Luanët”, përballen në “Uembli” me Shqipërinë, e tri ditë më pas ndeshen sërish në shtëpi me Letoninë.
Për teknikun gjerman, kjo do të jetë sfida e parë në stolin e Anglisë. Amorim mendon se mbrojtësi i “Djajve të kuq”, Harry Maguire meriton që të grumbullohet me kombëtaren. Sipas portugezit, qendërmbrojtësi 31-vjeçar është i zoti, por ka potencialin që të përmirësohet edhe më.
Trajneri i “Djajve të kuq” vë në pah faktin se anglezi ka bërë paraqitje mjaft të mira në Premier Ligë dhe se mund të ndihmojë Anglinë. Amorim po aplikon te United modulin 3-4-3, me Meguire që është kthyer në një element kyç në qendër të prapavijës.
31-vjeçari ka marrë pjesë edhe në aksionet sulmuese, duke dominuar në duelet ajrore dhe duke siguruar stabilitetin e nevojshëm. Anglezi është kthyer në shtyllën e repartit difensiv, me Lisandro Martinez të padisponueshëm deri në fund të sezonit.
Qendërmbrojtësi luajti për “Tre Luanët” për herë të fundit në shtator dhe ka 64 paraqitje me kombëtaren. Përvoja e tij e madhe mund të jetë një ndihmë e madhe për Tuhel, me gjermanin që pritet të angazhojë disa talente të rinj.
Klan News