Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pezullon veprimet për shpalljen e rezultatit të votimit në kryeqytet. Me kërkesë të Spartak Ngjelës, kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, zbuloi se kishte mbërritur urdhri i sekuestrimit për materialet origjinale zgjedhore, nga prokurori i Tiranës Besnik Canaj.

Spartak Ngjela:- “Kur kam marrë përsipër kandidimin tim në Tiranë, kam qenë i bindur se nuk kam qenë unë me kandidatin socialist përballë njëri-tjetrit, por unë përballë krimit të organizuar në Tiranë, përkatësisht anti-shtet. Jam krejtësisht i bindur që anti-shteti është vënë përpara. Ju vë në dijeni si komision, se ka shenja që ky komision t’i japi rrugë anti-shtetit, duke iu vënë në dijeni, se banda që ka marrë kutitë, të cilat ju i pretendoni se kanë ardhur nga KZQV-të, pjesëtarë të tyre janë të arrestuar sot. E dyta, më lejoni t’ju vë në dijeni, se kryetari i KZQV së Tiranës, zotit Perikli Dhale, sot i është djegur shtëpia. Shenjat janë që është hapur presion dhe jam i bindur që presioni vjen për defektin total, që ka ky komision, kur ka marrë përsipër të diskutojë procesverbalin që është i tërë i falsifikuar dhe ajo që pretendojë sot, i gjithi në kundërshtim me udhëzimin 21/21”.

Ilirjan Celibashi:- “Sipas këtij vendimi të sekuestrimit është vendosur, që të sekuestrohen si më poshtë, të gjitha procesverbalet, model A-28, që i përkasin zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë Tiranë dhe anëtarët e këshillit bashkiak të kësaj bashkie Tetor 2003. Para një situate të tillë, KQZ nuk mund të vazhdojë më punën, pasi mbi këto dokumente është vënë sekuestro nga organi i prokurorisë dhe kjo çështje do të pezullohet”.

Gjatë paradites kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës Spartak Ngjela bëri kallëzim penal në prokurori, për falsifikimin e firmës së kryetarit demokrat nga përfaqësuesi i PS, në 128 procesverbale./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj