Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar vlefshmërinë e procesit zgjedhor për bashkinë e Durrësit, pas ankesës së bërë nga ish kandidati i Partisë Demokratike, për shkelje ligjore me listat e zgjedhësve.
Antarë të KQZV Durrës kanë shpjeguar përpara komisionerëve qëndrorë problemet me listën e votuesve. Nënkryetari demokrat dhe sekretari kanë shprehur se lista e votuesve nga KQZ nuk ka mbërritur në afat dhe nuk është firmosur apo nënshkruar nga zyra e gjëndjes civile në bashki. Këtë fakt e ka theksuar vetë Avni Hoxha, ish kandidat i Partisë Demokratike dhe avokati i tij, me pretendimin se rreth 20 mijë qytetarë janë penguar të votojnë. Ndërësa listat e votuesve të cilat nuk janë firmosur në çdo fletë nuk kanë vlefshmëri juridike.
Avni Hoxha: “Vetëm nga verifikimet tona për 6, 7 gërma të alfabetit, të evidentuar janë 5 mijë vetë, do vazhdojmë kontrollet, të cilëve i janë hequr, janë qytetarë të Durrësit të cilët nuk egzistojnë në listën përfundimtare e cila është më e vogël se në qëndrën e votimit”.
Avokati i Lefter Kokës ka konsideruar se gjithçka po bëhet me qëllim zvarritjen e procesit zgjedhor në Durrës dhe shpalljen përfundimtare si fitues klientit të tij.
“Gjithë kjo kërkesë bëhet për të zvarritur këtë proces, për të mos shpallur në kohë Lefter Kokën si kryetar bashkie të Durrësit, ndaj do të lutesha që mos mbahej parasysh kërkesa e tyre”.
Kryetari i KQZ, Ilirian Celibashi, ka kundërshtuar kërkesën e Avni Hoxhës.
Ilirian Celibashi: “Në pikpamje të ligjit procesi dhe procedura që ka ndjekur Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është një proces i ligjshëm, palët të cilat kanë pretendime për listën e zgjedhësve e kanë humbur këtë të drejtë për të ngritur pretendime ligjërisht, sepse në afatet që ka përcaktuar kodi, duhet të ishin ankuar ndaj vendimeve të udhëzimeve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, nuk jane ankuar dhe tashme nuk mundet të pretendojnë dhe të kërkojnë kundërshtimin e kësaj liste zgjedhësish. Në qoftë se dikush pretendon që vendimet e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nuk janë respektuar, nuk janë zbatuar, atëherë ky është një pretendim që nuk mund të ngrihet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, por mund të ngrihet në organe të tjera të drejtësisë”.
Kundër qëndrimit të kryetarit është shprehur antari i komisionit Klement Zguri, duke deklaruar se afati për ankesë është i vlefshëm. Më pas me 5 vota pro dhe 2 kundër KQZ ka hedhur poshtë kërkesën e ish kandidatit demokrat Avni Hoxha, duke konsideruar të vlefshëm procesin zgjedhor në Durrës./tvklan.al