Moska vijon të ndryshojë qëndrim në lidhje me autorësinë edhe nuk pranon përgjegjësinë për neglizhencë ndaj paralajmërimeve
Rusia vijon të ndryshojë qëndrim për autorësinë e sulmit tragjik në një sallë koncertesh pranë Moskës. Teksa kanë kaluar vetëm pesë ditë nga sulmi, Moska nuk pranon përgjegjësinë se Bortnikov dhe Sergey Naryshkin dy kreret e agjencive kryesore të zbulimit, FSB dhe Shërbimi i inteligjencës së jashtme neglizhuan paralajmërimet.
Kreu i shërbimeve ruse të sigurisë FSB ka bërë të ditur se shërbimet e inteligjencës perëndimore dhe ato ukrainase kanë ndihmuar sulmuesit për mënyrën e organizimit të sulmit, ku humbën jetën qindra persona.
“Ne besojmë se aksioni u përgatit nga vetë islamistët radikalë dhe, natyrisht, u lehtësua nga shërbimet speciale perëndimore, dhe vetë shërbimet speciale të Ukrainës që kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me këtë,” ka deklaruar Alexander Bortnikov nga agjencitë ruse të lajmeve.
Mes të tjerash Bortnikov shprehet se është koha për të njohur regjimin e Kievit si një organizatë terroriste. Në Dumën ruse u mbajt një minutë heshtje për viktimat, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se autoritetet do të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që kriminelët të marrin një dënim të drejtë.
Sipas Bortnikov kërcënimi terrorist në Rusi vazhdon dhe sulmi në Crocus u bë për të minuar situatën në vend edhe sipas tij do të ketë masa hakmarrëse. Putin pranoi për herë të parë se ky sulm është kryer nga islamikët radikalë, por shtoi se kjo situatë i vjen për shtat një fushate më të gjerë frikësimi nga Ukraina.
“Kjo mizori mund të jetë vetëm një lidhje me një seri të tërë përpjekjesh nga ata që kanë qenë në luftë me vendin tonë që nga viti 2014 nga duart e regjimit neo-nazist të Kievit,” tha Putin.
Sipas presidentit rus, ata që planifikuan sulmin shpresuan të mbillnin panik dhe përçarje në shoqëri, por u përballën me unitetin dhe vendosmërinë për t’i rezistuar kësaj të keqeje.
Ndërkaq autoritetet në Taxhikistan kanë ndaluar familjarët e katër personave të cilët akuzohen për kryerjen e sulmit vdekjeprurës në një sallë koncertesh në rajonin e Moskës. Familjarët e tyre janë marrë në pyetje nga autoritetet e Taxhikistanit si pjesë e një hetimi të gjerë rus. Katër burra me përkatësi etnike nga Taxhikistani të cilët po punonin si emigrantë në Rusi aktualisht janë arrestuar si të dyshuar për kryerjen e këtij sulmi.
Klan News