Vendimi i presidentit Joe Biden, për të lejuar Ukrainën të përdorë armë të prodhuara nga SHBA, për të goditur thellë brenda Rusisë ka nxitur një sërë reagimesh.

Kremlini ka deklaruar se Uashingtoni me këtë lëvizje dëshiron të përshkallëzojë konfliktin mes Moskës dhe Kievit.

“Nëse një vendim i tillë është marrë dhe i është përcjellë regjimit të Kievit, atëherë kjo do të thotë një raund i ri cilësor i përshkallëzimit të tensionit. Deri më tani, ka vetëm raporte në mediat perëndimore. Por është e qartë se administrata në largim në Uashington synon të hedhë benzinë ​​zjarrit dhe të provokojë më tej përshkallëzimin e tensionit rreth këtij konflikti dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë e vendeve të NATO-s, e Shteteve të Bashkuara në luftë me Rusinë,”  tha Dmitry Peskov.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell para një takimi me ministrat në Bruksel u shpreh se anëtarët e BE-së mund të bien dakord të lejojnë Ukrainën të përdorë armë për të goditur brenda Rusisë.

 “Unë kam thënë një herë dhe përsëris se Ukraina duhet të jetë në gjendje të përdorë armët që i kemi dhënë. Shpresoj që vendet anëtare te bien dakord për këtë dhe nëse jo, cilido do të bëjë çfarëdo që ata besojnë se është në përputhje me nevojën për të mbështetur Ukrainën,” tha Josep Borrell, Shef i Politikës së Jashtme të Bahkimit Evropian.

Franca, e cila i ka ofruar Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi, sinjalizoi këtë të hënë që lejimi i Kievit për të goditur objektivat ushtarake brenda Rusisë mbetet një opsion në tryezë. Ndërkaq ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se Shtetet e Bashkuara kanë marrë një vendim të rëndësishëm për sa i përket mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Gjithashtu edhe djali i presidentit të zgjedhur Trump, Donald Trump Junior ka pohuar se ky vendim mund të sjellë një luftë të re botërore.

Trump është zotuar të kufizojë mbështetjen amerikane për Ukrainën dhe t’i japë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur.

Klan News