Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve kërkon të pastrojë parlamentin nga të fortët dhe njerëzit e inkriminuar. Bëhet thirrje klasës politike dhe partive kryesore për të ndryshuar sistemin elektoral në Shqipëri. Ky është veprimi që do të minimizojmë manipulimet në zgjedhje. Zgjedhja në mënyrë të drejtpërdrejtë e deputetëve ka nxitur për mbrojtjen e qytetarëve financimet e pista të kandidatëve në fushata elektorale. Sistemi proporcionale rrit cilësinë e zgjedhjeve.
Kreshnik Spahiu: “Ne do të kërkojmë që deri në fund të Tetorit grupet parlamentare të ndryshojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nga sistem mazhoritar, i korrektuar në sistem proporcional. Ne pretendojmë që në 14 vjet sistemi mazhoritar ka nxitur lidhjet e politikës me krimin, nëpërmjet financimeve me para të pista apo të bizneseve të dyshimta që tashmë dihen, duke bërë të mundur blerjen e karrigeve në parlament. Nëpërmjet ndryshimit të sistemit, pra futjes së sistemit proporcional, do të bëhet i mundur minimizimi i manipulimit të votës së lirë, të qytetarëve do të bëhet e mundur marrëdhënia e politikës me krimin dhe nga ana tjetër do të rritet cilësia e jetës parlamentare. Pra do të kemi deputetë të cilët do t’i përkasin një karriere politike dhe një niveli profesional më të lartë.”
Kësaj kërkese, sekretari i përgjithshëm i PS Ruçi i është përgjigjur se vlen të diskutohet, por është çështje kohe. Nuk është një problem i ri ajo e sistemeve në vend, është shprehur Ruçi, por sipas tij, reforma tërësore zgjedhore për 9 muaj nuk ka mundësi të kryhet.
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve shprehet se nëse mungon vullneti politik, realizimi zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk mund të arrihet pa një presion popullor për të arritur ndryshime kushtetuese.
Kreshnik Spahiu: “Ne do të fillojmë në këto javë negociatat me partitë politike dhe nëse nuk do të jetë e mundur, pra nëse opinioni do të ndihet përballë një indiference dhe shpërfillje nga klasa politike ashtu siç ka bërë për muaj me radhë ndaj thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar atëherë nuk mbetet rrugë tjetër përveçse ta ftojmë klasën politike në një sfidë me qytetarët shqiptarë, në një referendum duke mbledhur 50 mijë firma dhe duke i kërkuar presidentit të republikës që të dekretojë referendumin për ndryshime kushtetuese, duke ndryshuar sistemin zgjedhor nga mazhoritar i korrektuar në proporcional.”/tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti