Zgjedhjet  e pjesshme vendore që pritet të mbahen me 15 nëntor përplasin të majtën dhe të djathtën.

Tashmë kur ka përfunduar dhe afati i vendosur nga KQZ-ja për regjistrimin e kandidatëve nga forcat politike, gara mes kampit të majtë dhe atij të djathtë ka nisur.

Ka qenë Lëvizja Socialiste për Integrim, ajo që nëpërmjet kreut të saj Ilir Meta ka prezantuar përfaqësuesin e saj, Gjergj Thomai, si të zgjedhurin që do të përballet me kundërshtarët e kampit të djathtë për njësinë bashkiake numër 10 këtu në kryeqytet.

Ilir Meta: “Unë jam i bindur se zoti Thomai gëzon cilësi shumë të mira për të menaxhuar në një mënyrë tepër të kualifikuar ato probleme që ka kjo njësi. Ne nuk mund ti lëmë votuesit e majtë pa alternativë, ndaj besoj se zgjedhjet e 15 nëntorit do të jenë zgjedhje të rëndësishme. Kuptohet për njësinë 10 në veçanti dhe besoj që kandidati ynë do të jetë fitues. Në fakt për nga cv dhe nga të gjitha të dhënat ky është kandidat për kryetar të bashkisë së madhe, por për këtë ka kohë.”

LSI njoftoi pak ditë më parë daljen me kandidatë më vete në këto votime të pjesshme, për shkak të bojkotit të paralajmëruar të PS, por drejtues të kësaj partie, thanë se kjo nuk do të thotë se mes LSI dhe PD prishet marrëveshja bashkë qeverisëse, e cila përfshin edhe koalicionin për zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Të dielën e 15 Nëntorit gara elektorale mes së majtës dhe të djathtës do të zhvillohet për kryetarin e komunës Otllak, kryetarin e komunës Fierzë, kryetarin e bashkisë Fushë-Arrëz, kryetarin e bashkisë Klos dhe atë të minibashkisë nr. 10 Tiranë.

Këto komuna, bashki dhe minibashki kanë ngelur pa drejtues pas përfshirjes në garën për deputet të kryetarëve të tyre./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro