Prej më shumë se 24 orë fusha e mbetjeve në Vlorë është përfshirë nga flakët teksa tymi ka mbuluar të gjithë qytetin bregdetar, ku aktualisht pushojnë mijëra turistë, shqiptarë e të huaj.

Për të folur më shumë mbi këtë situatë në një lidhje direkte në Klan News me gazetarin Besard Jacaj ishte eksperti i Mjedisit Abdulla Diku i cili e ka quajtur këtë ngjarje një krim mjedisor. Eksperti Diku ka listuar problemet që shkaktojnë tymrat e çliruar, teksa u shpreh se këto gazra janë shumë të rrezikshme.

Abdulla Diku: Për mua personalisht nuk është asgjë ndikimi në turizëm në raport me ndikimin në shëndetin e njeriut. Të kemi parasysh që një pjesë e madhe e këtyre mbetjeve të ngurta janë mbetje plastike dhe djegia e tyre çliron gaze tmerrësisht të rrezikshme për shëndetin e njeriut siç janë bioksinat dhe poranet kryesisht, por edhe element të tjerë siç është mërkuri.

Dua të ndalem pak te bioksinat dhe poranet të cilat shkaktojnë një varg sëmundjesh që hyjnë në kategorinë e atyre ndotësve organikë të qëndrueshëm që nuk shpërbëhen, nuk hyjnë në reaksion, nuk tjetërsohen, por ngelën aty në zinxhirin ushqimor që ne konsumojmë.

Pra përveç kancerit që shkaktojnë ka probleme me rrugën e frymëmarrjes, zemrën, shëndetin riprodhues, ndërhyn në hormonet e njeriut. I marrim në dy mënyra. Në rastin e Vlorës e marrim drejtpërdrejt nga frymëmarrja. Ato akumulohen aty në trupin e njeriut dhe mënyra e dytë është nëpërmjet ushqimeve apo qumështit, apo produkteve të bulmetit. Janë ndër helmet më të rrezikshëm që qarkullojnë në planetin tonë, pra janë shumë toksike, të rrezikshme dhe më të këqinjt e mundshëm.

Për mendimin tim ky është një krim kundër njerëzimit, kundër popullsisë së Vlorës dhe kujtdo që është aty në Vlorë. Është fat i madh për bashkinë që njerëzit nuk e dini efektin shkatërues që kjo djegie ka tek njerëzit sepse nuk e di çfarë mund të kishte ndodhur në një vend tjetër.

/tvklan.al