Eksperimenti hetimor për dinamikën e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan më 21 Prill 2021 nuk është kryer i plotë. Ky është konstatimi i bërë nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në seancën e sotme kundër Arbër Paplekajt.
Gjykata u kërkoi ekspertëve të kqyrin edhe pamjet filmike, si edhe të përcaktojë vendosjet e 2 prej personave në ngjarje, si dhe përcaktimin e distancës mes viktimave dhe secilit qitës, si edhe mes qitësave nga njëri-tjetri.
Tre ekspertët Arjan Hako, Shpëtim Budo dhe Artan Rexhepi paraqitën në gjykatë akt-ekspertimin, që iu vendos në dispozicion edhe Prokurorisë dhe të dënuarit në Shkallë të Parë, Arbër Paplekaj.
Gjykata ka konstatuar se ekspertët kanë vendosur në fund se nuk kanë pasur kohë për të analizuar pamjet filmike.
Gazetarja e Klan News Glidona Daci, e cila po ndjek zhvillimin e procesit, thotë se njëri prej ekspertëve është shprehur se ngjarja e rëndë e Elbasanit ka probleme dhe realiteti nuk është pasqyruar 100%.
Eksperti Arjan Hako: Unë nuk kam mundësi që të thellohem. Më shumë përsa u përket pamjeve filmike nuk e di nëse kolegët mund të kenë diçka tjetër, unë nuk mund të dal në një konkluzion kaq sa kam shkruar mundem.
Gjykata e Apelit: Ju nuk keni përcaktuar ku ndodhej efektivja e policisë. Nuk janë shqyrtuar pamjet filmike siç duhet, në pamje dallohet se një punonjëse policise lëviz në këmbë dhe duket duke çaluar.
Eksperti Arjan Hako: Ndërtimin e vendit të ngjarjes ne e kemi bërë në bazë të gëzhojave, nuk mund ta bëjmë edhe me automjetet, nuk e përcaktojmë dot.
Gjykata kërkon që të përcaktohet nëpërmjet pamjeve filmike se ku ndodheshin automjetet në raport me rrugën.
Eksperti Artan Rexhepi: Kqyrja e vendit të ngjarjes me mekanizmin nuk shkojnë, nuk përputhen. Sa i takon videos, unë e kam një program që mund të nxirrja të dhëna por nuk kishim edhe kohë, për mendimin tim policia nuk është më larg se 1 metër e ca nga vendi ku ka ndodhur përleshja, edhe gëzhojat nuk përcaktojnë realitetin e duhur. Autori bën 4-5 hapa mbrapa dhe duket qartë se turma është e armatosur, nuk përcaktohen qartë ende të gjitha.
Gjykata kërkon të saktësohet kush ka qëlluar i pari me armë.
Eksperti Artan Rexhepi: Ajo ngjarje ka probleme, nuk është pasqyruar 100% realiteti, distanca nga është qëlluar ka qenë shumë më e afërt. Kërkojmë kohë që të nxjerrim të dhënat nga pamjet filmike. Për mua, qitwsit nuk janë aty ku dalin referuar vendit të ngjarjes me ate çfarë duket në pamje filmike.
Eksperti Shpëtim Budo: Ne mund të bëjm nje shtojcë në akt-ekspertim. Unë nuk kam berë ekspertim me pamje filmike, sepse pamjet s’më tregojnë distancën. Pamjet filmike nuk ma japin një gjë të tillë. Nuk jam ekspert për pamjet filmike.
Eksperti Artan Rexhepi: Për mua vendgjarja është e kontaminuar, 10 gradë gabim sjell 2 metra distancë në terren.
Prokurori: Përpara se të filloj të lexoj aktin, dua që të di nëse ky akt-ekspertimi është i saktë dhe çfarë duhet të lexojmë.
Ekspertët: Akti nuk është i plotë, duhet bërë edhe një akt i dytë, gezhojat kanë lëvizur ngaqë lëvizin nga makinat që janë në lëvizje. Kemi nxjerrë përfundimet me përafërsi, ne do të bënim dy akte edhe për pamjet filmike.
Eksperti Arjan Hako: Kqyrja e vendit të ngjarjes ka shumë mangësi. Një akt i ndërtuar mbi këto të dhëna do të ketë probleme, por është i ndërtuar mbi ato të dhëna që kishim. Si pikë referimi ne morë përqëndrimin më të madh të gëzhojave, por aty ka edhe gëzhoja të tjera. Unë nuk e di se çfarë softi ka kolegu, por ne nuk kemi bërë ndonjëherë kqyrje përmes pamjeve filmike. Nuk mund të flasim me saktësi për distancën në metra mes qitësit 1 dhe qitësit 2. Ne kemi vendosur maksimumin 11 metër, por mund të jetë edhe më afër.
Të pranishëm janë edhe dy ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi dhe 6 efektivë të forcave “Shqiponja”.
Avokati i Paplekajt kërkoi shtyrjen e seancës për të studiuar dosjen për shkak të volumit.
“Ka qenë kohë e pamjaftueshme për ta studiuar dhe nuk jam konsultuar me klientin tim. Kërkoj më shumë kohë, doja t’i bëja me dije gjykatës se klienti im s’ka kërkuar të lirohet me afate ligjore, i kërkoj gjykatës që po ashtu edhe të pezullojë afatet e paraburgimit, sepse ne nuk do ta shfrytëzojmë këtë dispozitë. Kërkojmë shtyrjen e seancës, i kam bërë edhe me shkrim pasi unë kërkoj qe të bëj një mbrojte efektive”, tha avokati mbrojtës.
Po kështu edhe prokurori i çështjes kërkoi shtyrje seance.
“Është një material prej 40 faqesh dhe kërkesa e mbrojtjes është e ligjshme sepse edhe mua më duhet kohë për ta studiuar, edhe pse më një shikim formal akti nuk ka shkeje proceduriale”, u shpreh prokurori.
Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan dënoi Arbër Paplekajn në 22 vite burg për ngjarjen që u regjistrua pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme dhe motiv pati dyshimet se disa persona po jepnin para në këmbim të votave.
Seanca e radhës në Apel do të jetë më datë 7 Maj në orën 12:00.
/tvklan.al