Krizën e shtëpive, Spanja synon që ta luftojë përmes taksave. Të paktën ky është plani i momentit. BBC shkruan se Madridi zyrtar po planifikon që të vendosë një taksë 100% të vlerës së pronës që blihet nga banorët jo-rezidentë nga vende jashtë BE-së.
Pedro Sanchez, kryeministri i Spanjës, kur njoftoi këtë vendim tha se masa e “paprecedentë” bëhet për të adresuar emergjencën e shtëpive në vend.
“Perëndimi përballet me një sfidë vendimtare, që të mos bëhemi një shoqëri e ndarë në dy klasa, me pronarë të pasur dhe qiramarrës të varfër”, tha Sanchez.
Banorët jo rezidentë jashtë BE-së blenë 27 mijë prona në Spanjë në vitin 2023. Sipas Sanchez, ata e bënë këtë jo për të jetuar në këto ndërtesa, por për të bërë para prej tyre.
“Diçka, që duke parë edhe kontekstin e mungesave që kemi sot, nuk mund ta lejojmë”, tha ai.
Lëvizja e qeverisë bëhet për t’u dhënë prioritet banorëve spanjollë, sipas Sanchez, i cili nuk dha detaje se si do të funksionojë kjo tarifë. Po ashtu mbetet e paqartë se si do ta kalojë në parlament ligjin, ku së fundmi Sanchez ka vuajtur për të kaluar legjislacione të ndryshme.
“Tarifa që duhet të paguajnë në rast blerje do të rritet deri në 100% të vlerës së pronës, njësoj si në vende si Danimarka apo Kanadaja”, sqaroi më tej zyra e kryeministrit.
Qeveria spanjolle tha se propozimi do të finalizohet pas një studimi të kujdesshëm./tvklan.al