Huadhënia përveç se është bërë më e vështirë nga ana e bankave, tashmë kushton edhe më shumë. Shtrenjtimi konstatohet sidomos për kreditë në euro me minimalisht 2 apo 3% më shumë sesa 1 vit më parë. Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Raiffeisen Oliver Whitle, është i mendimit se kredia në euro do të vijojë të ndjekë tendin e muajve të fundit.

Oliver J. Whitle: “Kostoja e fondeve në euro për bankat po rritet, çka sjellë edhe shtrenjtimin e kredisë në këtë monedhë. Por normat e interesave për huan mund të ulet pasi Banka e Shqipërisë po e shtyn sistemin bankar të kreditoj në monedhën vendase, kjo do të shmang dhe rrezikun e humbjeve nga luhatshmëria e kursit të këmbimit e vërejtur kohët e fundit”.

Bankierët thonë se do të vijohet të kreditohet biznesi, por duke qenë më të kujdesshëm në analizën e riskut.

 Oliver J. Whitle: “Normat e interesit do të reflektojnë më me shumë saktësi riskun që paraqet huaja në varësi të llojit të biznesit. Shoh që për kompani të caktuara do të aplikohen norma interesi më të larta se 2%. Në procesin e dhënies së kredisë analizohet shuma, monedha, qëllimi, industria, kolaterali, historiku e tjerë. Edhe për 2009-ën ne do të vazhdojmë të kreditojmë biznesin”.

Pak ditë më parë Banka Qendrore Europiane, vendosi të ul normën bazë të interesit për euron. Elvin Meka, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, thotë se ky veprim pritet të reflektohet edhe në vendin tonë.

Elvin Meka: “Efekti minimal do të ishte frenimi në një farë mënyre i prirjeve ngritëse i normave të interesit. Jemi dëshmitar të ngritjes së vazhdueshme graduale të normave të interesit në treg për të gjitha llojet e produkteve të kredisë. Ndërsa skenari më i mirë do të ishte që bankat të  mund të reflektonin qoftë dhe pjesërisht një ulje të normave të interesit”.

Por shtrenjtimi i kredisë nuk është fenomen shqiptarë. Meka thotë se bankat janë të detyruara të shtrenjtojnë çmimin e huas për shkak të shtrëngimit të ligujditetit në tregjet kombëtare si dhe të rritjes së shkallës së riskut në mos kthimin e kredive./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro

Operator: Ben Haxhiaj

Montazh: Ergis Hasanbelli