Grekët e lashtë besonin se kërcimi ishte një dhuratë nga perënditë. Por në krizën e thellë financiare që ka goditur vendin ata që po kërcejnë rreth saj janë zyrtarët evropianë.
Dëshira për ta ndihmuar Greqinë ekziston por liderët evropianë po shpresojnë se Athina do ta ndihmojë veten pa i shtrirë dorën askujt.
Kështu duke i dhënë mbështetjen Greqisë për planin drakonjan të kursimeve dhe duke i konsideruar ato në publik si të mjaftueshme, Ministrat e Eurozonës do të hartojnë një plan ndihme miliarda dollarësh detajet e të cilit nuk u bënë të ditura, por që do të vihen në jetë vetëm nëse masat e marra nga Greqia nuk do të funksionojnë.
Jean-Claude Juncker: “Greqia do të ndihmohej nëse kjo do të ishte e nevojshme. Ne mendojmë se Athina nuk do të ketë nevojë për ndihmë. Megjithatë duhet të marrim një vendim në lidhje me instrumentat të një plani të mundshëm ndihme.”
Pengesa më e madhe që ekziston në radhët e zyrtarëve të Eurozonës është fjala shpëtim. Sepse çdo plan i mundshëm shpëtimi apo financimi i Greqisë do të thyente rregullat evropiane. Për më tepër do të kishte sfida më të mëdha ligjore.
Kriza ka sjellë në pah ndarje të mëtejshme mes Francës dhe Gjermanisë. Kjo e fundit shqetësoi të gjithë kur sugjeroi përjashtimin e Greqisë nga Eurozona, por për Francën është koha që vet Gjermania të shpenzojë më shumë në ekonomitë e dobëta evropiane, gjë që për Berlinin është thuaj e pamundur, pasi i ka provuar më parë në histori tmerret e inflacionit të lartë.
Kriza financiare në Greqi vazhdon të ndikojë në lëkundjet në bursa, rritjen e spekulimeve në tregje dhe zhvlerësimin e euros duke çuar Athinën zyrtare t’i kërkojë ndihmë askujt tjetër përveç se si dikur perëndive./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle