Greqia ka 30 ditë kohë që të ndërmarrë masa të mëtejshme kursimesh në të kundërt do të përballet më sanksione. Ky është paralajmërimi i ministrave të financave të vendeve të Eurozonës, të cilat mbrëmë mbështetën planet e reduktimeve të shpenzimeve të Athinës.

Plani i stabilitetit parashikon uljen e defiçitit brenda këtij viti nga 12.7% me të paktën 4%. Më 16 Mars ecuria e këtij plani do të vlerësohet nga Brukseli dhe nëse ajo është negative për qeverinë Papandreu do të jetë e domosdoshme marrja e masave të reja mes tyre dhe ulja e mëtejshme e pagave në sektorin shtetëror dhe rritja me 2 deri në 3% e TVSH-së.

Por telashet dhe agonia nuk kanë të sosur për  Athinën. Gati 1 milionë të Administratës Publike kundërshtojnë energjikisht reduktimin e të ardhurave dhe rritjes së moshës së pensionit . Ndaj kjo do të jetë një javë e zezë për vendin pasi janë parashikuar një sërë grevash masive . Për 3 ditë punonjësit e doganave  do  të hidhen në grevë gjë që pritet të shkaktojë problem në furnizimin e tregut me karburant dhe rritje të mëtejshme të naftës dhe benzinës. Doganierët protestojnë kundër uljes së pagave dhe kompensimeve shumë bujare që përfitonin deri më tani. Për të njëjtën arsye në grevë do të hidhen edhe punonjësit e Ministrisë së Financave, ndërkohë që më 24 Shkurt  do të mbahet edhe greva e përgjithshme në sektorin privat dhe publik .

Për Ministrin grek të Financave përpjekjet e vendit për të rifituar kredibilitetin e humbur përbëjnë një ndërmarrje kaq të vështirë saç ishte dhe ndryshimi i kursit për një anije të madhe si Titaniku./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle