Nën hijen e një lufte globale tregtare, udhëheqësit e Britanisë dhe Gjermanisë u takuan të dielën në Checkers dhe i lëshuan sinjalet e para administratës Trump. Dhe përgjigja europiane e britanike është një traktat i ri tregtie mes palëve. Gjatë takimit, kryeministri Starmer tha se dëshiron të shohë “marrëdhënie të forta tregtare” nën administratën e presidentit të ShBA-së Donald Trump. Gjithashtu ai shpresoi për një “rivendosje” të marrëdhënieve midis Britanisë dhe Bashkimit Europian. Për kancelarin gjerman Scholz është e rëndësishme që bota të mos ndahet me barriera të reja tregtare, pasi të gjithë përfitojnë nga globalizimi.

Të dy udhëheqësit ranë dakord më herët në Berlin të punojnë për një traktat ambicioz që mbulon çështje nga mbrojtja te tregtia, i cili synon të rivendosë marrëdhëniet ekonomike britanike me Bashkimin Europian. Starmer përsëriti se një rivendosje nuk do të nënkupton rihyrje në tregun e vetëm të bllokut ose bashkimin doganor.


Diskutimi i udhëheqësve të dy prej ekonomive më të mëdha të Europës vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli vendosjen e tarifave prej 25% për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja dhe 10% për importet nga Kina.

Nga këto tarifa do të goditet prodhuesi më i madh i makinave në Europë Volkswagen. Kompania tha se ka hyrë në bisedime për të shmangur konfliktin tregtar. Fabrika e kompanisë Puebla, është më e madhja e Meksikës dhe një nga më të mëdhatë e Grupit Volkswagen, që prodhoi afro 350,000 makina në vitin 2023, të gjitha për eksport në Shtetet e Bashkuara.

Prodhuesit gjermanë të automjeteve, prej të cilëve Volkswagen do të preket më shumë, thanë se tarifat do të shkaktojnë inflacion për konsumatorët.

Klan News