Presidenti i SHBA, Donald Trump ashtu siç kishte premtuar urdhëroi të shtunën e 1 Shkurtit tarifa 25% për importet kanadeze dhe meksikane dhe 10% për mallrat nga Kina. Ato do të hyjnë në fuqi nga e Marta e 4 shkurtit. Trump deklaroi se këto tarifa do të qëndrojnë në fuqi deri në zbutjen e emergjencës kombëtare që lidhet me hyrjen e drogës fentanil dhe emigracionit të paligjshëm në SHBA.

Produktet energjetike nga Kanadaja do të kenë vetëm një tarifë prej 10%, por importet e energjisë meksikane do të tarifohen plot 25%, thanë zyrtarët amerikanë për mediat.

Sipas urdhrit të cilin Trump e nënshkroi nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago në Florida, mbledhja e tarifave do të fillojë në orën 12:01 të mëngjesit të së martës.

Tarifat mund të çojnë në kosto potencialisht shumë më të larta, ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe humbje të vendeve të punës. Por veç kësaj hakmarrja që pason vendimin e Trump rrezikon të ndezë një luftë tregtare që sipas ekonomistëve mund të dëmtojë ekonominë globale dhe të ngrejë inflacionin.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se vendi i saj do të vendosë tarifa hakmarrëse. Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi se do të vendosë taksa 25% për një sërë importesh amerikane si shenjë hakmarrjeje ndaj Trump. Udhëheqësi kanadez tha se tarifat do të përfshijnë birrën amerikane, verën dhe uiskin, si dhe frutat dhe lëngjet e frutave, duke përfshirë lëngun e portokallit nga shteti i Trump, Florida. Kanadaja do të tarifojë gjithashtu mallra amerikane si veshje, pajisje sportive dhe pajisje shtëpiake.

“Dua të flas drejtpërdrejt me amerikanët, miqtë tanë më të ngushtë dhe fqinjët. Kjo është një zgjedhje që po, do të dëmtojë kanadezët, por përtej kësaj, do të ketë pasoja reale për ju, popullin amerikan. Tarifat kundër Kanadasë do të vënë në rrezik punët tuaja, duke mbyllur potencialisht fabrikat amerikane të montimit të automjeteve dhe objektet e tjera prodhuese. Kjo do të rrisë kostot për ju. Siç e kam thënë më parë, nëse presidenti Trump dëshiron të sjellë një epokë të re të artë për Shtetet e Bashkuara, rruga më e mirë është partneriteti me Kanadanë, jo të na ndëshkojë”, tha ai.

Në kufirin SHBA-Kanada trajtohen mbi 2.5 miliardë Dollarë tregti në ditë, veçanërisht në energji dhe prodhim, sipas të dhënave të qeverisë kanadeze nga 2023.

Ministria e Tregtisë e Kinës tha se do të paraqesë një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe “të marrë kundërmasat përkatëse”, pa dhënë detaje. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme kineze shprehet keqardhja për këtë vendim dhe thuhet se Kina do të marrë kundërmasat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime.

Një zyrtar i administratës Trump tha se çdo hakmarrje nga Meksika, Kina ose Kanadaja ka të ngjarë të rezultojë në tarifa edhe më të larta për atë vend.

Klan News