Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve mbështet idenë që kryeministri Edi Rama zbuloi në gazetën prestigjioze amerikane “Nju Jork Tajms” për krijimin në Tiranë të një shteti bektashi të ngjashëm me atë të Vatikanit në Romë. Përmes një deklarate zyrtare për media, Kryegjyshata thekson se realizimi i kësaj ideje do të shënonte një hap historik për gjithë komunitetin bektashi në gjithë botën.
“Selia Botërore e Bektashinjve mirëpret shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes. Ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës – i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore”.
Selia Botërore e Bektashinjve thekson gjithashtu se krijimi i një shteti të tillë do t’i jap Urdhrit Bektashi sovranitet të ngjashëm me Vatikanin dhe do ta lejojë atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative.
“Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave. Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore”.
Më tej, Selia Botërore e Bektashinjve citon në deklaratë edhe Kryegjyshin Botëror, Baba-dede Edmond Brahimajn, i cili thekson se një organizim i till shtetëror do të ketë vetëm karakter fetar.
“Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare.”
Si ent shpirtëror, Kryegjyshata sqaron se shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative.
Gjithsesi, detajet për këtë nismë mbeten ende për t’u diskutuar dhe për këtë po punojnë një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë.
Që ky shtet i ri brenda Shqipërisë brenda vendit të realizohet duhet të marrë miratimin nga Parlamenti. Territori i shtetin sovran të ‘Urdhrit Bektashi’ parashikohet të jetë kompleksi prej 27 hektarësh ne Kryegjyshatën Botërore.
Tv Klan