Fillojnë sot punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Behgjet Pacolli, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nisjes së punimeve tha se ky event është madhështor dhe të tillë e shton edhe fakti që festohet 109-vjetori i pavarësisë.

Sipas Pacollit, ky është një projekt i posaçëm që tregon qartë harmonizimin e bashkëpunimit të qeverisë me privatin.

“Është një veprim ekonomik, një veprim i ekonomisë liberale ku qeveria krijon kushtet, qeveria bën çmos që t’i sigurojë investitorit infrastrukturën ligjore, infrastrukturën po e them edhe fizike, investitori vjen dhe pa asnjë dyshim fillon punën e tij të investuarit dhe të krijuarit mundësi për vetveten dhe për qytetarët. Jam i lumtur që jam aktori kryesor i kësaj vepre. Jam i lumtur që kjo ndodh në qytetin që e kam shumë për zemër. 20 vitet e fundit nuk kam munguar që të jem këtu në Vlorë dhe sot jemi me një gjë madhështore”, tha Pacolli.

Pacolli shprehu falenderimet edhe për Kryeministrin Edi Rama.

“Jam i lumtur që jam para kryeministrit që jashtëzakonisht e preferoj, një kryeministër me energji të paparë. Kryeministër ia keni dalë kësaj pune dhe ju përgëzoj. Jeni duke punuar për popullin tonë. E them me modesti ne kemi”, tha Pacolli.

Pacolli garantoi se do të avancohet shumë shpejt me punën. “Do të jetë aeroporti më i bukur në këtë troje dhe më funksional në këto troje”, tha Pacolli. /tvklan.al