Danezi Anders Fogh Rasmussen, kryeministri i Danimarkës, është shefi i ri i Aleancës Veri-Atlantike.
Liderët e vendeve anëtare të NATO-s kanë rënë dakord lidhur me kandidaturën. Në një konferencë të përbashkët për shtyp presidenti francez, Nikolas Sarkozi, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe sekretari aktual, Scheffer, thanë se aleanca ka rënë dakord edhe lidhur me Afganistanin si dhe strategjitë për të ardhmen.
Nikolas Sarkozi: “Unë e mbështeta kandidaturën e Rasmussen. Ne sapo kemi emëruar në postin e sekretarit të përgjithshëm një amerikan që gjithashtu është evropian. Do të doja të thoja se gjithashtu me hyrjen e Francës në NATO Evropa do të jetë më e fortë. Pjesa më e madhe e vendeve të NATO-s kishin rënë dakord lidhur me kandidaturën e Rasmussen. Gjithsesi më lejoni t’ju shpjegoj se ne kemi biseduar me krerët e Turqisë sa i takon votës së tyre në momentin që do të votohej kandidimi i Rasmussen.”
Ndërkaq, kancelarja Angela Merkel vlerësoi dhe përshëndeti miratimin e kandidaturës së Rasmussen.
Lidhur me kryeministrin Taip Erdogan, i cili kishte deklaruar votën e tij kundër danezit, Merkel tha se vendet anëtare zhvilluan bisedime me presidentin Gyl dhe kryeministrin Erdogan përsa i takon votës së tyre në samit.
Angela Merkel: “Pjesa më e madhe e vendeve të NATO-s kishin rënë dakord lidhur me kandidaturën e Rasmussen. Gjithsesi më lejoni t’ju shpjegoj se ne kemi biseduar me krerët e Turqisë sa i takon votës së tyre në momentin që do të votohej kandidimi i Rasmussen.”
Sa i takon Afganistanit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, tha se aleanca do të rrisë praninë e trupave të saj në Afganistan me 5000 trupa.
Lidhur me vendimin për strategjinë që do të ndjekë aleanca ka qenë presidenti Barack Obama ai që ka dorëzuar protokollin në Aleancë.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të punimeve në samit presidenti amerikan tha se objektivi kryesor i NATO-s do të jetë Afganistani.
Barack Obama: “Plani im për Afganistanin gjeti mbështetjen e të gjitha vendeve. Objektivat e aleancës do të jenë Iraku dhe Afganistani. Situata atje është e brishtë. Kemi rënë dakord që të dërgojmë në Afganistan rreth 5 mijë trupa ushtarake. Al Kaeda është kërcënim për secilin prej vendeve të NATO-s, ndaj të gjithë duhet të bashkëpunojmë në luftën kundër terrorizmit”.
Anders Fogh Rasmussen është një mbështetës i hershëm i presidentit amerikan, Xhorxh Bush.
Që nga viti 2001 kryeministri ka drejtuar një qeveri të qendrës së djathtë duke e drejtuar atë në zgjedhje në të cilat siguroi fitoren tre herë.
Qeveria e tij ka qenë e përqendruar në politikat e mirëqenies ekonomike, të lidhura me modelet demokratike e sociale të shoqërisë.
Një test i madh për politikat e qeverisë së Rasmussen ndodhi në vitin 2006. Vendi u përfshi nga protesta masive për shkak të disa karikaturave të Muhamedit.
Rasmussen nuk pranoi të mbyllte televizionin, i cili njihej si mbështetës i kurdëve. Ai ka tre fëmijë dhe kohët e fundit është bërë gjysh.
Me marrjen e postit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Rasmussen do të heqë dorë nga posti i kryeministrit./tvklan.al