Pak orë pas kthimit nga SHBA, ku mori pjesë në samitin e liderëve botërore në sesionin e radhës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku u bisedua kryesisht për klimën. Kryeministri Berisha përmendi si kulm të takimeve të tij atje, pritjen e rezervuar nga presidenti Obama, që ka premtuar një vizitë në Shqipëri

Sali Berisha: “Ishte një rast i jashtëzakonshëm për mua, një takim të shkurtër intensiv të përzemërt me presidentin Obama dhe zonjën e parë. Ishte kënaqësi për mua të merrja dhe njëherë urimin e presidentit ose vlerësimin e presidentit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por dhe faktin se presidenti dhe zonja e parë në Çikago kishin njohur, kishin miq shqiptar me të cilët dhe kishin punuar. Ajo kohë e kufizuar nuk mund të përdoret për gjë tjetër, për ta ftuar presidentin dhe zonjën e parë të vizitojnë Shqipërinë. Premtimet janë shumë shpresëdhënëse. Presidenti vlerësoi ftesën time dhe u ndava i bindur se presidenti Barack Obama dhe zonja e tij do të vizitojnë Shqipërinë”.

Vëmendje të veçantë, Berisha i kushtoi edhe privilegjit që atij iu rezervua nga bursa NASDAQ e Nju Jorkut, që e kishte atë të ftuar të nderit.

Sali Berisha: “Me simbolikë të fuqishme, ishte mbyllja e veprimtarisë ditore të NASDAK-ut. Veshja e Time Square me flamurin shqiptar dhe bursën më transparente më digjitale të njerëzimit, një mbyllje shqiptare. Kishte simbolikën e vet të madhe kjo, Shqipëria ku ishte dhe ku është, ku ishte ekonomia … dhe ku është sot”.

Në takimet me liderë të shumtë të vendeve të botes, Berisha tha se një nga qëllimet kryesore ishte lobimi për pavarësinë e Kosovës, por padyshim dhe integrimi i vendit, heqja e vizave, dhe marrëdhëniet bilaterale. Në këto takime, Berisha ka marre urimet dhe konsideratat për zgjedhjet e 28 qershorit. I pyetur nga gazetaret, Berisha tha se pas mesazheve të pafund nga brenda e jashtë vendit, opozita duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të vije në kuvend.

Sali Berisha: “Shkalla e përgjegjësisë ndaj vendit dhe ndaj shoqërisë shqiptare janë obligim madhor, më madhorë i të gjithë faktorëve politik shqiptar dhe në radhë të parë faktorëve politik shqiptar dhe në radhë të parë faktorëve politik kryesor. Opozita shqiptare duhet të jetë në lartësinë e idealeve europiane dhe duhet të dëshmojë qartë se është për favorizimin dhe jo dëmtimin e këtyre proceseve. Në historinë e këtij vendi këto janë zgjedhjet e para në të cilat … shkruan se u plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-ODIHR-it dhe se vlerësimi për këto zgjedhje, vlerësimi i përgjithshëm për zgjedhjet është pozitiv. Ajo çfarë garantoj unë opozitën është kjo. Së pari të ndijohet zëri i saj plotësisht në të gjitha reformat që ne ndërmarrim për integrimin e vendit dhe të jetë së bashku me mazhorancën bashkautorë në këto reforma”.

Sa i takon debatit lidhur me enciklopedinë maqedonase që fyen shqiptaret në këtë vend, Berisha u shpreh se shqiptaret janë autoktone gjatë gjithë kohërave dhe shtoi se autoritetet do të ndërhyjnë për korrigjimin e plote të enciklopedisë.

Sali Berisha: “Ky ishte një shpërthim racist ndaj shqiptarëve duke dëshmuar se ai institucion ka ngelur në stadin e …, por shqiptarët nuk kanë pse të impresionohen nga asnjë ndërhyrje e atyre që kanë probleme me identitetin e tyre. Unë kam besim sepse presidenti i Maqedonisë e konsiderojë këtë një problem serioz dhe më siguroj se pas kthimit ai do bënte ndërhyrje të tij. Absolutisht marrëdhëniet midis qeverisë shqiptare dhe maqedonase janë shumë larg dhe marrëdhënie të një natyre krejtësisht tjetër. Unë kam besim se autoritet maqedonase do të ndërhyjnë”./tvklan.al

Gazetari: Julian Kasapi