Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka deklaruar se është i gatshëm të shkojë në dialog me Serbinë nëse do t’i vijë ftesa për ndërmjetësim nga SHBA.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Avdullah Hoti u shpreh se takimi i thirrur nga diplomati Grenell në SHBA javën e kaluar u anulua pas publikimit të akt-akuzave ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale.

Pas këtij momenti, Hoti theksoi se edhe ai anuloi udhëtimin pasi në SHBA po shkonin si delegacion i përbashkët i Kosovës së bashku me Presidentin Thaçi. Hoti theksoi se procesin e dialogut me Serbinë do ta udhëheqë ai si Kryeministër i Kosovës.

“Jemi përgatitur për të hyrë në fazën përfundimtare të marrëveshjes. Ka ndodhur një zhvillim i papritur. Ne ishim nisur si delegacion bashkë me presidentin për të filluar dialogun dhe ishte normale që pas atyre zhvilimeve ne të kthemi në Prishtinë. Unë kam pasur fetsë që të shkoj edhe pasi ndodhi ajo, edhe ka qenë insistim i ambasadorit që të shkoj aty, por u rakorduam që ky takim të spostohet. Delegacioni është i ndërtuar. Kemi ndërtuar mekanizma shtetërorë për të qenë të gatshëm në këtë proces. Në proces të dialogut Kushtetuta është e qartë që e përfaqëson Kryeministri”.

Sa i përket pikave të negociatave me Serbinë, Kryeministri Hoti bëri të qartë se integriteti territorial i Kosovës nuk është në tryezën e diskutimit.

Nuk diskutojmë për çështje të territorit, nuk diskutohet integriteti territorial i shtetit të Kosovës. Dhe marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Këto janë si parime të dialogut. Ne shkojmë në këtë proces për njohje reciproke”. /tvklan.al