Teksa Moska kërcënon me përgjigje të mëtejshme ndaj asaj që e quan vendimin e pamatur të Britanisë dhe SHBA-së për të lejuar Ukrainën që të lëshojë raketat e tyrë në Rusi, kryeministri polak, Donald Tusk thotë se lufta po hyn në një fazë vendimtare. Tusk deklaroi se kërcënimi i një konflikti global është serioz dhe real.
Ndërkohë, NATO thotë se përdorimi i armës nga Rusia nuk do të ndryshojë rrjedhën e konfliktit. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë deklaruar se do të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur Ukrainën dhe për të arritur paqen e qëndrueshme.
Ndërkohë, përdorimi nga Rusia i raketës së re të fuqishme me rreze të mesme veprimi për të goditur Ukrainën, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tregon se Moska nuk synon t’i japë fund luftës.
Zelenski bëri thirrje për reagim të ashpër ndërkombëtar kundër Moskës. Shtëpia e Bardhë tha se Moska e njoftoi Uashingtonin për përdorimin e një rakete të re eksperimentale para se të godiste.
Për kancelarin gjerman Olaf Scholz, ky është një zhvillim shumë i rrezikshëm. Ndërsa Pekini zyrtar bëri thirrje që palët të tërhiqen nga tensionimi i situatës dhe të gjejnë zgjidhje diplomatike.
Ndërkohë, Putin pasi njoftoi se raketa e përdorur ishte me rreze të mesme veprimi dhe që e kalonte 10 herë shpejtësinë e zërit, tha se ky ishte një mesazh se armë të tilla do të përdoren për ato vende që lejojnë përdorimin e armëve të tyre kundër Rusisë./tvklan.al