“S’është hera e parë që vij tek ju kur furtuna e kazanit të politikës dhe mediat ngrihet mbi kokat e punonjësve të policisë”.
E nisi kështu kryeministri Rama fjalën në një takim me drejtuesit e policisë, i cili vjen pas publikimit të dosjes Habilaj, ku në bisedat e përgjuara të anëtarëve të grupit kriminal implikohen edhe zyrtarë të policisë në trafikun e drogës.
Kryeministri tha se policia është në shënjestër prej 4 vitesh, për disa arsye. E para, ajo e sekuestrimit të pasurive kriminale.
“Kanë ndodhur shumë gjëra, por po ju them një. Deri tani pa mbaruar muaji tetor i këtij viti policia e shtetit ka sekuestuar nga duart e rrjeteve kriminale 35 milionë euro, të cilat në vitin e shkuar, pra deri në fundin e vitit të shkuar, ishin plot 47 milionë euro para të sekuestruara nga krimi. Ndërkohë që në vitin 2013 nuk bëheshin as 1 milionë euro. Atëherë ka nevojë për koment”.
Lufta me kanabisin dhe goditja e grupeve kriminale është një tjetër arsye, thotë kreu i qeverisë.
“Vetëm në Lazarat sipas raporteve të policisë italiane në vitin 2013 u kultivua një sipërfaqe prej 319 hektarash dhe u pradhuan 900 ton kanabis. Tani, këto 900 ton kanabis ku shkuan? Pse nuk i pamë kurrë në televizor? Pse nuk i lexuam kurrë në gazetë? Pse nuk i dëgjuam kurrë nga goja e atyre që në atë kohë drejtonin ministrinë e brendshme? Sepse ato ikën të gjitha, të pa trazuara, të shoqëruara, u shitën matanë detit dhe paratë u ndanë andej dhe këtej detit, poshtë dhe lart. Dhe nëse krahasojmë 4 vite që pararendën 4 -vjeçarin kur u hap kjo luftë, e dini sa është diferenca e arrestimeve të elementëve të përfshirë në veprimtari kriminale? 1 422 me 360. Nuk është sport. Po të ishte futboll, do të ishte 9 – 1”.
Si dëshmi të luftës pa kompromis që qeveria e tij ka bërë ndaj kanabizimit, Rama e ftoi median dhe kundërshtarët politikë të presin rezultatet e monitorimit nga ajri të bëra nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Interforcën, teksa përshëndeti masat radikale ndaj policëve që nuk bëjnë detyrën.
“Unë i përshëndes dhe inkurajoj masat radikale. Nëse sot policia zbulon parcela me kanabis në Rinas, i gjithë zinxhiri aty duhet shkarkuar nga policia. Kjo është e qartë. I gjithë zinxhiri. Sepse është e pamundur të justifikohet një prani e tillë në një fazë finale të një operacioni kur një muaj janë zgjatur fluturimet me financim nga KE sepse partnerët që ndjekin opracionin nuk arrinin të bindeshin për ç’rrënjosjen që i është bërë kanabisit. Prisni dhe do shihni”.
Në betejën me krimin, kryeminsitri ishte i prerë kur foli për zero kompromis. Paralajmëruar veting në radhët e uniformave blu, që do të bëhet nga një kompani e huaj dhe ardhjen e dy agjentëve të huaj për të asistuar policinë. Por qetësoi policët e ndershëm.
“Më në fund, mbas 2 vjetësh përpjekjesh për të sjellë këtu agjentët e FBI dhe pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me drejtorin e FBI vjen këtu një ndër agjentët me prestigjozë të FBI për të mbështetur policinë e shtetit në luftën kundër krimit të organizuar. Dhe nuk mbaron me kaq. Mbërrin edhe një agjent tjetër me kuota besueshmërie maksimale për të mbështetur policinë kundër krimit të organizuar, nga Gjermania. Po diskutojmë me një kompani hetimesh dhe auditimesh që drejtohet nga ish agjentë të FBI. Nuk do ketë drejtues policie që nuk do të kalojë testin. Dhe ju e dini çfarë do të thotë. Ka një instrument për sinqeritetin, poligrafin”.
Si në betejën kundër kanabisit dhe në atë kundër krimit, kryeministri shigjetoi prokurorinë dhe gjyqësorin për lënien të lirë të kriminelëve. Ai përfshiu këtu edhe rastin e Elbasanit.
“Nuk kishte gjë më të shëmtuar se ajo video që erdhi nga Elbasani. E papranueshme. Nëse këtu në Shqipëri do kishte prokurori dhe gjykatë në lartësinë e betejës dhe detyrës, s’do ndodhte kështu”.
Për ata që sipas tij kanë ngritur furtunën kundër policisë, Kryeministri dha një këshillë.
“Ua kam thënë edhe të huajve, shqiptarin më të pashkollë nuk ka shkencëtar që e bën dot për budalla. Për budalla njeriun e kësaj toke nuk e bën dot. Kush përpiqet të bëjë budallenj, ka paguar gjithmonë”.
Në dalje të takimit ai u pyet nga gazetarët edhe për akuzat e opozitës ndaj ish –ministrit të Brendshëm, Samir Tahiri. Por u largua duke i injoruar ato.
Tv Klan