Tirana ka ajrin më të ndotur në vend. Monitorimet e kryera nga agjencia rajonale e mjedisit e rendisin kryeqytetin në top listën e ndotjes me normë 2 herë më të lartë se vlerat e lejuara.

Në një intervistë për Televizionin Klan zv/Ministri i Mjedisit, Taulant Bino, fajëson bashkinë e kryeqytetit si përgjegjësen e kësaj situate alarmante.

Taulant Bino: “Për fat të keq në gjithë këto vite bashkia ka bërë veshin shurdh ndaj këtij problemi gjithnjë e në rritje. Ne sot jemi të ndërgjegjshëm që numri i automjeteve në Tiranë po shtohet, ndërkohë që hapësirat për qarkullim të automjeteve sa vijnë e zvogëlohen. Vijnë e zvogëlohen sepse kemi një rrjet rrugor  të bllokuar në nyjet e veta duke krijuar efektin e shishes dhe për pasojë bllokimi i trafikut. Ne kemi shumë pak hapësira parkimi në qytet, që do të thotë që automjetet janë të detyruar të parkojnë anës rrugës dhe pastaj kemi një transport publik që nuk vlen, apo një transport alternativ që është sa për show dhe jo për të qenë funksional. Bashkia është përgjegjësja dhe zgjidhja e këtij problemi.”

Qytetarët të cilat vuajnë pasojat e këtij ajri të ndotur, sipas Binos nuk kanë asgjë në dorë, vetëm ti kërkojnë përfaqësuesve të pushtetit vendor, të zgjidhin problemin.

Taulnat Bino: “ Qytetarët ti kërkojnë që Bashkia e Tiranës të krijonte një transport publik shumë funksional, në mënyrë që qytetarët të ishin shumë më të interesuar të përdornin transportin publik dhe ti kërkonin Bashkisë së Tiranës të krijonte linjat apo korsitë e transportit alternativ atij me biçikleta, në mënyrë që qytetarët të përdornin biçikletën dhe jo automjetin.  Qytetarët duhet ti kërkojnë Bashkisë së Tiranës që të përmirësojë nyjet e qarkullimit, të ruaj hapësirat e gjelbra, ti zgjerojë ato dhe jo t’i zvogëlojë.” Pikat me ndotje më të lartë në kryeqytet, mbetet zona e 21 Dhjetorit, Rruga  Elbasanit, dhe Zogu i zi./tvklan.al