Sapo afrojnë muajt e parë të verës, nisin dhe planet për 15 ditët e pushimeve vjetore, që mund të zgjasin dhe me muaj për ata që kanë fatin të kenë një punë pa shumë impenjime.
Destinacionet bregdetare janë më të preferuarat, brenda dhe jashtë vendit. Një praktikë kjo e fundit, që pas liberalizimit të vizave është bërë mjaft komune për pushuesit shqiptarë. Prej vitesh plazhet e Turqisë, Greqisë, Malit të Zi apo Kroacisë janë bërë destinacionet kryesore, drejt të cilave kanë udhëtuar shqiptarët.
Destiancionë në distanca të afërta, të cilat ofrojnë cilësi në shërbim dhe çmime tepër konkurruese, madje më të lira krahasuar me çmimet që aplikohen në zonat bregdetare në vendin tonë, duke u nisur dhe nga cilësia e ulët e shërbimit.
Por ka dhe nga ata që nuk i kursejnë vetes udhëtimet drejt plazheve ekzotike me rërë të bardhë, mijëra kilometra larg dhe mijëra euro të shtrenjta.
Për udhëtimet jashtë vendit, vitet e fundit shumë e efekshme ka rezultuar puna e operatorëve të udhëtimeve, të cilat e kanë zgjeruar hartën e destinacioneve turistike që ofrojnë.
Përveç plazheve, intersante janë dhe turet malore. Turzimi malor është një nga sektorët, në të cilët qeveria po investon së tepërmi, duke stimulur në këtë mënyrë zhvillimin e këtij lloj turizmi që po bëhet çdo ditë dhe më tërheqës e i preferuar nga vendasit dhe të huajt. Natyrë eksploruese, ushqime dhe ndërtesa tradicionale për zonat malore, mikpritje dhe mbi të gjtiha larg vapës.
Por ka nga ata që për shkak të impenjimeve janë të detyruar të qëndrojnë në qytetet ku jetojnë, ndoshta duke e ulur pak ritmin e punës. Për të tjerët pushim do të thotë të organizohesh në ture turistike, në të cilat përfshihen vizita në monumente historike dhe kulturore, kryesisht jashtë vendit, duke qenë se në Shqipëri ky lloj turizmi është thuajse i paeksploruar.
Për të diskutuar mbi pushimet e shqiptarëve në studion e emisionit “Opinion” ishin të ftuar pedagogia Belina Bodini, zëdhënësja e kryeministrit Erla Mëhilli, organizatorja e “Prishtina Film Festival” Vjosa Berisha, këshilltari i kryeministrit Neritan Ceka, analisti Fatos Lubonja, deputeti Artan Gaci, opinionisti Artan Hoxha dhe gazetari Ylli Rakipi./tvklan.al