Në Shqipëri, gjatë muajit Nëntor, do të organizohet një tjetër turne i rëndësishëm europian. Federata Shqiptare e Futbollit, do të organizojë sfidat e raundit të parë të kualifikueseve të Euro 2025, për moshën U-19.

Pjesë e këtij turneu do të jetë edhe Shqipëria, me kuqezinjtë e Julian Ahmatajt, që janë në kërkim të suksesit të madh, pasi synojnë kualifikimin për në Elite Round.

Shorti e ka vendosur Shqipërinë në grupin 11, së bashku me Izraelin, Danimarkën e Irlandën e Veriut. Një grup i vështirë, por jo i pamundur për kuqezinjtë e vegjël. Ndeshjet do të luhen në datat 13, 16 dhe 19 Nëntor në Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Shqipëria do t’i luajë të gjitha ndeshjet e saj në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa miqtë do të luajnë në stadiumet “Niko Dovana” dhe në “Shtëpinë e Futbollit”.

Kombëtarja e drejtuar nga Ahmataj zbret në fushë me 13 Nëntor, teksa luan sfidën e parë ndaj Izraelit në orën 14:00. Në të njëjtën ditë, Irlanda e Veriut luan ndaj Danimarkës në stadiumin “Niko Dovana” në ora 12:00.

Tre ditë më vonë do të luhen ndeshjet e dyta të këtij raundi. Shqipëria përballet me Danimarkën në orën 14:00, ndërsa Izraeli luan me Irlandën e Veriut në orën 12:00 në “Niko Dovana”.

Ndeshjet e treta dhe të fundit të këtij raundi do të luhen në të njëjtën orë, 15:00. Shqipëria luan sfidën e fundit ndaj Irlandës së Veriut në “Elbasan Arena”, ndërsa Danimarka mat forcat me Izraelin në “Shtëpinë e Futbollit”. /tvklan.al